Kanë kaluar më shumë se tri javë nga shpallja e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa po afrohet afati zyrtar për njoftimin e apelimit.
Fillimisht, palët kishin detyrim të njoftonin deri në mes të muajit tetor nëse do ta apelonin këtë vendim.
Mirëpo, me kërkesë të ekipeve mbrojtëse, Paneli i Apelit ka vendosur ta shtyjë këtë afat deri më 27 nëntor. Kërkesa për shtyrje është arsyetuar me kompleksitetin e lëndës, si dhe me faktin se mbrojtja nuk e kishte pranuar ende aktgjykimin e plotë të përkthyer në gjuhën shqipe.
Nga Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar për RTK-në se deri më tani nuk ka asnjë parashkresë që tregon se ndonjëra nga palët ka dorëzuar njoftimin për apelim apo ka përcaktuar pjesët e aktgjykimit që synon t’i kundërshtojë në shkallën e dytë.
Sipas procedurave të Speciales, faza formale e apelit nis zyrtarisht vetëm pas dorëzimit të këtij njoftimi.