Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndëshkuar me gjobë prej 1,000 eurosh operatorin ekonomik “Eli Ab” sh.p.k. në Lipjan, pasi është vërtetuar se çmimi i ekspozuar në raft për një produkt nuk përputhej me çmimin që konsumatori ka paguar në arkën fiskale. Lidhur me këtë shkelje, Gazeta Insajderi ka drejtuar pyetje drejt kompanisë, mirëpo deri në publikimin e këtij materiali, ajo nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Sipas Vendimit zyrtar të nxjerrë nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (të datës 20/04/2026), kontrolli në njësinë nr. 7 të këtij operatori në Lipjan është realizuar më 16 prill 2026, pas një ankese të parashtruar nga një konsumator.
Gjatë inspektimit në terren dhe bazuar në procesverbalin, tregtarit i është konstatuar mospërputhje direkte e çmimit për produktin lëng “Jaffa” Molle 2L:
Çmimi i vendosur në raft: 1.29 €
Çmimi i llogaritur në arkën fiskale: 1.39 €
Me këtë veprim, subjekti afarist ka rënë në kundërshtim me nenin 26 (paragrafët 7 dhe 8) të Ligjit Nr. 06/L-034 Për Mbrojtjen e Konsumatorit, i cili e obligon tregtarin t’i garantojë konsumatorit se çmimi i paguar do të jetë i njëjtë me çmimin e ekspozuar.
Për këtë shkelje ligjore, Inspektorati i ka shqiptuar operatorit ekonomik gjobë në vlerë prej 1,000.00 € (një mijë euro), të cilën është i obliguar ta paguajë brenda 15 ditëve nga dita e pranimit të vendimit.
Sipas ligjit në fuqi, nëse gjoba paguhet brenda afatit të paraparë, subjekti lirohet nga pagesa e 50% të shumës së shqiptuar.


Lidhur me këtë rast dhe mospërputhjen e çmimeve në dëm të konsumatorëve, Insajderi ka kontaktuar operatorin ekonomik “Eli Ab” për të marrë një qëndrim apo sqarim zyrtar. Mirëpo, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, kompania nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës. /Insajderi.org/