Insajderi
Op-Ed

Viti 2010 nuk ishte vit i brishtë për shtetësinë e Kosovës: kufijtë e përgjegjësisë historike dhe politike

Insajderi
15 October 2026 - 11:22
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Viti 2010 nuk ishte vit i brishtë për shtetësinë e Kosovës: kufijtë e përgjegjësisë historike dhe politike
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkruan Enver Hasani

Por çfarë lidhjeje juridike ose historike ka çmimi i asfaltit me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë apo me zhvillimet diplomatike të vitit 2010?

Dy fjalë për kuadrin e analizës

Historia e shtetësisë së Kosovës nuk mund të shkruhet duke shkëputur aktin e shpalljes së pavarësisë nga protagonistët e tij dhe as duke e interpretuar të kaluarën në funksion të qëndrimeve politike të së tashmes. Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi, në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, lexoi Deklaratën e Pavarësisë para përfaqësuesve të zgjedhur të popullit të Kosovës. Ky është një fakt historik që nuk mund të injorohet, të relativizohet apo të zhduket nga kujtesa institucionale e shtetit, pavarësisht vlerësimeve për veprimtarinë e tij të mëvonshme politike.

Natyrisht, pavarësia e Kosovës nuk ishte vepër e një individi. Ajo ishte rezultat i një procesi të gjatë historik, i rezistencës politike dhe të armatosur, i sakrificave të popullit të Kosovës, i ndërhyrjes ndërkombëtare të vitit 1999 dhe i procesit diplomatik që kulmoi me shpalljen e shtetit të pavarur. Por karakteri kolektiv i këtij procesi nuk e zhbën rolin individual të atyre që, në një moment të caktuar historik, morën përgjegjësinë për aktin përfundimtar të shpalljes së pavarësisë.

Historia e Shqipërisë ofron një analogji domethënëse. Më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali udhëhoqi Kuvendin e Vlorës dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Vetëm pak më shumë se një vit më vonë, më 22 janar 1914, në rrethana të trysnisë së fuqishme ndërkombëtare dhe të krizave të brendshme, ai ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, organit të krijuar nga Fuqitë e Mëdha. Pas largimit nga pushteti, jetoi kryesisht jashtë Shqipërisë, në një periudhë që shënoi edhe mënjanimin e tij nga drejtimi i shtetit që kishte shpallur. Megjithatë, as largimi nga pushteti, as ndërhyrja e Fuqive të Mëdha dhe as fati i tij i mëvonshëm politik nuk e ndryshuan faktin se Ismail Qemali mbetet protagonisti qendror i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Rrethanat historike të viteve 1912 dhe 2008 janë të ndryshme, sikurse janë të ndryshme pozitat dhe veprimtaritë e dy personaliteteve. Analogjia nuk synon barazimin e tyre, por evidentimin e një parimi elementar të historiografisë: një akt themelues i shtetit nuk mund të fshihet nga historia për shkak të zhvillimeve të mëvonshme politike ose të fatit personal të protagonistëve të tij. Kjo premisë ka rëndësi për interpretimin e zhvillimeve që pasuan shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Historia e konsolidimit të shtetësisë së saj nuk është rezultat i vendimeve të një individi, i një qeverie apo i një momenti të vetëm. Ajo është produkt i ndërveprimit ndërmjet vullnetit politik të popullit të Kosovës, administrimit ndërkombëtar, procesit të statusit përfundimtar dhe qëndrimeve të fuqive të mëdha ndaj pavarësisë.

Për këtë arsye, çdo përpjekje për të shpjeguar problemet e sotme të Kosovës duke i reduktuar ato në vendimet e një periudhe të vetme rrezikon të prodhojë një interpretim historik të paplotë. Historia politike nuk është një zinxhir mekanik ngjarjesh, ku çdo zhvillim i mëvonshëm mund t’i atribuohet një vendimi të mëhershëm. Përgjegjësia politike duhet të individualizohet, ndërsa mundësitë diplomatike duhet të vlerësohen në raport me kufizimet reale të rendit juridik ndërkombëtar.

Plani gjashtëpikësh i Ban Ki-moonit dhe kufijtë e sovranitetit të Kosovës

Një nga episodet më domethënëse të periudhës pas shpalljes së pavarësisë ishte përpjekja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë gjatë vitit 2008. Plani i tij gjashtëpikësh trajtonte policinë, drejtësinë, doganat, transportin dhe infrastrukturën, kufijtë, si dhe trashëgiminë fetare e kulturore serbe. Propozimi synonte të krijonte një formulë funksionale për vazhdimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, duke ruajtur neutralitetin formal të OKB-së ndaj statusit dhe duke mundësuar vendosjen e EULEX-it. Nga pikëpamja juridike, ky proces përmbante një kundërthënie themelore: Kosova kishte shpallur pavarësinë dhe kishte miratuar Kushtetutën e saj, ndërsa OKB-ja vazhdonte të vepronte në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Megjithatë, është thelbësore të dallohen propozimet diplomatike nga marrëveshjet juridikisht të pranuara.

Më 18 nëntor 2008, institucionet e Kosovës refuzuan shprehimisht planin gjashtëpikësh. Ky qëndrim u përfshi në raportin zyrtar të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, S/2008/692, të datës 24 nëntor 2008. Kosova kundërshtoi çdo zgjidhje që cenonte sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Njëkohësisht, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me EULEX-in, duke e lidhur praninë e tij me Deklaratën e Pavarësisë, Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky dallim ka rëndësi të veçantë juridike.

Pranimi i bashkëpunimit me një mision ndërkombëtar nuk nënkupton pranimin e të gjitha premisave juridike mbi të cilat ai mision pretendon të mbështetet. Aq më pak nënkupton pranimin e një propozimi të refuzuar shprehimisht. Si dëshmi e kësaj është fakti se Deklarata presidenciale e Këshillit të Sigurimit, S/PRST/2008/44, e 26 nëntorit 2008, mirëpriti raportin e sekretarit të përgjithshëm dhe bashkëpunimin e palëve, duke marrë parasysh qëndrimet e ndryshme të Beogradit dhe Prishtinës. Deklarata në fjalë nuk ishte një rezolutë e re dhe nuk e shndërroi refuzimin e Kosovës në pranim juridik të planit gjashtëpikësh. Në të njëjtën kohë, as refuzimi i Kosovës nuk e pengoi OKB-në të vazhdonte rikonfigurimin e pranisë së saj brenda kornizës së Rezolutës 1244. Kjo dëshmon një realitet të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare: mungesa e pëlqimit juridik të një shteti nuk garanton domosdoshmërisht aftësinë e tij për të penguar një proces ndërkombëtar që mbështetet në kompetenca dhe mekanizma institucionalë ekzistues. Për pasojë, duhet dalluar ndërmjet përgjegjësisë për pranimin e një detyrimi dhe pamundësisë politike për ta penguar një zhvillim të caktuar. Ngatërrimi i këtyre dy kategorive çon në përfundime të pasakta mbi natyrën e sovranitetit dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.

Mendimi këshillëdhënës i GJND-së dhe kufijtë juridikë të Asamblesë së Përgjithshme

Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha mendimin këshillëdhënës mbi përputhshmërinë e deklaratës së pavarësisë së Kosovës me të drejtën ndërkombëtare. Gjykata konstatoi se deklarata e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky ishte një sukses i rëndësishëm juridik dhe diplomatik për Kosovën. Por kuptimi i tij duhet përcaktuar brenda kufijve të objektit të çështjes që ishte para Gjykatës, e cila nuk vendosi për ekzistencën e një detyrimi të përgjithshëm të shteteve për ta njohur Kosovën. Ajo nuk shpalli se Kosova kishte fituar automatikisht të drejtën e anëtarësimit në OKB dhe as nuk e zgjidhi përfundimisht kontestin politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjykata u përgjigj për ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë, jo për të gjitha pasojat juridike që mund të burojnë nga ekzistenca e një shteti. Ajo në veçanti nuk vendosi nëse Kosova kishte të drejtën e vetëvendosjes së jashtme. Ky dallim është vendimtar.

Në të drejtën ndërkombëtare, ligjshmëria e një deklarate të pavarësisë, ekzistenca e shtetit, njohja ndërkombëtare dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare janë çështje të dallueshme, edhe pse të ndërlidhura. Në këtë kontekst, nuk duhet harruar se deklarata që u shqyrtua nga Gjykata ishte pikërisht ajo e lexuar më 17 shkurt 2008 nga kryeministri Hashim Thaçi, në emër të përfaqësuesve të zgjedhur të Kosovës. Akti ishte kolektiv, por roli i tij institucional në shpalljen e pavarësisë është pjesë e pandashme e historisë së atij momenti. Për këtë arsye, mendimi këshillëdhënës nuk mund të shndërrohej automatikisht në një detyrim ndërkombëtar për njohjen e Kosovës.

Po kështu, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk kishte kompetencë ta përmbyllte me efekt detyrues kontestin mbi shtetësinë e Kosovës. As sot nuk i ka kompetencat e tilla! Asambleja mund të miratonte një rezolutë politikisht mbështetëse. Një rezolutë e tillë mund të kishte rëndësi diplomatike dhe të ndikonte në procesin e njohjeve. Por ajo nuk do të krijonte detyrim juridik për shtetet që kundërshtonin pavarësinë. Për më tepër, neni 4 paragrafi 2 i Kartës së OKB-së përcakton se pranimi i shteteve të reja në Organizatë bëhet me vendim të Asamblesë së Përgjithshme mbi rekomandimin e Këshillit të Sigurimit. Pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, Asambleja nuk mund ta pranonte Kosovën si anëtare të OKB-së.

Në vitin 2010, Rusia dhe Kina kundërshtonin pavarësinë e Kosovës, ndërsa pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njihnin atë. Këto ishin kufizime strukturore të diplomacisë ndërkombëtare, jo thjesht vështirësi që mund të kapërceheshin me vullnet politik.

Rezoluta 64/298 e Asamblesë së Përgjithshme, e miratuar më 9 shtator 2010, ishte rezultat i një kompromisi diplomatik ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Ajo njohu përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës dhe mirëpriti gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar dialogun ndërmjet palëve. Rezoluta nuk e konfirmoi shprehimisht pavarësinë e Kosovës, por as nuk e kontestoi as ligjshmërinë e deklaratës së saj. Një rezolutë më mbështetëse mund të kishte qenë politikisht e dëshirueshme për Kosovën. Megjithatë, dëshirueshmëria e një rezultati nuk është provë e realizueshmërisë së tij.

Për të pretenduar se Kosova humbi një mundësi historike, duhet të provohet se ekzistonte një alternativë konkrete diplomatike, se ajo gëzonte mbështetjen e nevojshme dhe se miratimi i saj do të prodhonte pasoja juridike ose politike më të favorshme. Pa këtë analizë kundërfaktike, një pretendim i tillë mbetet hipotezë politike, jo përfundim i provuar juridik. Fundja, rezolutat dhe aktet e tjera të Asamblesë së Përgjithshme, si rregull, nuk kanë fuqi juridikisht detyruese për shtetet anëtare, me përjashtim të vendimeve që ajo merr në ushtrim të kompetencave të saj institucionale, organizative dhe buxhetore, të përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara. Këtë natyrë jodetyruese e ka edhe Rezoluta 377 A (V), e njohur si “Bashkimi për paqen” (Uniting for Peace), pavarësisht rëndësisë së saj të veçantë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare

Dialogu me Serbinë dhe dallimi ndërmjet sovranitetit dhe detyrimeve ndërkombëtare

Fillimi i dialogut Kosovë–Serbi nuk mund të interpretohet, në vetvete, si heqje dorë nga sovraniteti. Shtetet sovrane negociojnë edhe me shtete që nuk ua njohin pavarësinë, kufijtë ose legjitimitetin ndërkombëtar. Pranimi i dialogut nuk është i barasvlershëm me pranimin e pretendimeve juridike të palës tjetër. Megjithatë, marrëveshjet që dalin nga dialogu mund të krijojnë detyrime konkrete dhe të ndikojnë në organizimin institucional të shtetit. Prandaj, rëndësi vendimtare ka përmbajtja e marrëveshjeve, jo vetëm fakti i pjesëmarrjes në negociata. Këtë çështje e kemi trajtuar dhe sqaruar gjerësisht në monografinë tonë mbi Kushtetutën materiale të Kosovës, e cila së shpejti do të botohet në Vjenë, në gjuhën angleze, për audiencën anglishtfolëse.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe dokumenti i vitit 2015 mbi parimet e Asociacionit krijuan një debat të gjerë kushtetues dhe politik në Kosovë. Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin KO130/15 të dhjetorit 2015, konstatoi se parimet e përgjithshme të dokumentit të vitit 2015 nuk ishin plotësisht në përputhje me standardet kushtetuese të Kosovës. Megjithatë, Gjykata nuk e trajtoi vetë themelimin e Asociacionit si kategorikisht të ndaluar, por kërkoi që organizimi dhe kompetencat e tij të jenë në përputhje me Kushtetutën. Kjo do të thotë se duhet dalluar ndërmjet ekzistencës së një detyrimi për themelim dhe përmbajtjes konkrete juridike të mekanizmit që do të themelohet.

Një zhvillim i ri ndodhi në vitin 2023, me Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Ohrit. Neni 7 i marrëveshjes parashikon rregullime për një nivel të përshtatshëm vetëmenaxhimi të komunitetit serb në Kosovë, ndërsa neni 10 ripohon detyrimin për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme të dialogut. Këto angazhime u pranuan politikisht gjatë qeverisjes së Albin Kurtit. Prandaj, përgjegjësia për zhvillimet e vitit 2023 nuk mund t’u atribuohet vetëm qeverive që kishin negociuar marrëveshjet e mëparshme.

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, vazhdimësia e shtetit nuk e përjashton përgjegjësinë politike të qeverisë që ripohon ose pranon detyrime të reja. Një qeveri mund të trashëgojë një situatë të pafavorshme, por mbetet përgjegjëse për vendimet që merr në administrimin e saj. Kjo vlen për të gjitha qeveritë, pavarësisht orientimit të tyre politik.

Përgjegjësia politike dhe problemi i shkakësisë historike

Në analizën e historisë politike shpesh shfaqet prirja që zhvillimet e mëvonshme t’u atribuohen vendimeve të mëhershme, vetëm sepse ekziston një lidhje kronologjike ndërmjet tyre. Por kronologjia nuk është shkakësi. Fakti që një zhvillim politik i paraprin një tjetri nuk provon se i pari e ka shkaktuar të dytin. Për të identifikuar përgjegjësinë historike, duhet të përcaktohet mekanizmi konkret përmes të cilit një vendim ka prodhuar një pasojë të caktuar. Kjo kërkesë është veçanërisht e rëndësishme në rastin e Kosovës, ku zhvillimet politike kanë qenë rezultat i ndërveprimit të institucioneve vendore me aktorë të shumtë ndërkombëtarë.

Këtu duhet bërë edhe një dallim tjetër: vlerësimi i veprimtarisë së mëvonshme të një udhëheqësi nuk mund të përdoret për të rishkruar rolin e tij në një ngjarje themeluese. Një personalitet historik mund të ketë merita të dokumentuara në një periudhë dhe të mbajë përgjegjësi politike për vendime të kontestueshme në një periudhë tjetër. Këto vlerësime nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin. Ismail Qemali nuk e humbi vendin e tij në historinë e pavarësisë së Shqipërisë pas largimit nga pushteti në vitin 1914. Në të njëjtën mënyrë, roli i Hashim Thaçit në shpalljen e pavarësisë së Kosovës nuk mund të zhbëhet nga debatet mbi qeverisjen e tij të mëvonshme. Kjo nuk nënkupton përjashtim nga përgjegjësia politike apo juridike. Përkundrazi, nënkupton se historia duhet të jetë e aftë të njohë njëkohësisht rolin themelues dhe përgjegjësinë për vendime të mëvonshme. Për shembull, krijimi i Dhomave të Specializuara nuk mund të shpjegohet vetëm përmes dobësive të qeverisjes ose korrupsionit. Raporti i Dick Marty-t, hetimet e mëvonshme ndërkombëtare, qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë dhe vendimet kushtetuese të institucioneve të Kosovës përbëjnë një proces të veçantë historik dhe juridik.

Korrupsioni mund ta dobësojë besueshmërinë e institucioneve, por kjo nuk provon automatikisht se ai ishte shkaku juridik i krijimit të një mekanizmi të posaçëm penal. Po kështu, diskutimet e viteve 2018–2019 për korrigjimin e kufijve duhet të dallohen nga ekzistenca e një marrëveshjeje konkrete për ndryshimin territorial. Një ide politike, një propozim negociator dhe një marrëveshje e përfunduar janë kategori të ndryshme. Për të vlerësuar seriozitetin dhe realizueshmërinë e një projekti për ndryshimin e kufijve, duhet të ekzistojnë prova mbi përmbajtjen e tij, palët që e kanë pranuar dhe mekanizmat juridikë të zbatimit. Pa këto prova, nuk mund të nxirren përfundime kategorike mbi ekzistencën e një projekti të dakorduar për ndarjen e Kosovës. Në këtë kontekst, historia politike duhet të mbështetet në dokumente dhe në analizën e alternativave reale, jo vetëm në interpretimin retrospektiv të ngjarjeve.

Korrupsioni, financat publike dhe simetria e përgjegjësisë

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i përgjegjësisë politike lidhet me administrimin e parasë publike. Korrupsioni, mungesa e transparencës dhe keqpërdorimi i burimeve shtetërore janë probleme që kërkojnë kontroll institucional dhe përgjegjësi publike. Megjithatë, standardet e vlerësimit duhet të jenë të njëjta për të gjitha qeveritë. Nuk është metodologjikisht e pranueshme që shpenzimet e një qeverie të trajtohen si dëshmi e keqqeverisjes, ndërsa shpenzimet e një qeverie tjetër të përjashtohen nga i njëjti kontroll. Në sektorin energjetik, për shembull, duhet të shqyrtohen subvencionet buxhetore, kontratat e importit, humbjet financiare, procedurat e prokurimit dhe mekanizmat e mbikëqyrjes. Por duhet të bëhet dallimi ndërmjet shumës së shpenzuar, dëmit ekonomik dhe shumës së përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme. Këto nuk janë kategori të barasvlershme. Përgjegjësia politike mund të ekzistojë edhe kur nuk provohet përgjegjësia penale. Një qeveri mund të mbajë përgjegjësi për mungesë transparence, vendimmarrje të dobët ose administrim joefikas, pa qenë domosdoshmërisht e provuar kryerja e një vepre penale.

Nga ana tjetër, pretendimet për vjedhje të shumave të caktuara kërkojnë prova financiare dhe juridike. Në këtë kontekst, një vëmendje të veçantë meriton edhe mënyra se si është trajtuar kostoja e ndërtimit të autostradës së Kombit, përkatësisht segmentit Morinë–Prishtinë, të realizuar nga konsorciumi Bechtel-Enka. Çmimi i kësaj autostrade është një çështje legjitime e debatit ekonomik, financiar dhe politik. Ai mund të shqyrtohet nga pikëpamja e ekonomicitetit të investimit, transparencës së kontratës, procedurave të prokurimit dhe përgjegjësisë së institucioneve që kanë marrë vendimet përkatëse. Por çfarë lidhjeje juridike ose historike ka çmimi i asfaltit me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, me mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë apo me zhvillimet diplomatike të vitit 2010 ?

Përgjigjja nuk mund të gjendet në vetë shumën e faturuar për ndërtimin e autostradës. Një investim publik mund të jetë ekonomikisht i diskutueshëm, financiarisht i kushtueshëm ose politikisht i kontestuar. Por nga kjo nuk rrjedh se ai ka shkaktuar dobësimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit. Për të arritur në një përfundim të tillë, duhet të provohet lidhja konkrete shkakësore ndërmjet vendimit ekonomik dhe pasojës juridiko-ndërkombëtare që pretendohet. Kjo lidhje nuk mund të zëvendësohet me një asociacion retorik ndërmjet kostos së asfaltit dhe kostos së shtetësisë. Për më tepër, vlerësimi i çmimit të autostradës kërkon një analizë krahasuese profesionale. I njëjti konsorcium, Bechtel-Enka, ka realizuar ose ka marrë përsipër projekte të mëdha infrastrukturore edhe në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut. Në Serbi, projekti i Korridorit të Moravës përfshin rreth 112 kilometra autostradë. Në Maqedoninë e Veriut, kontrata për korridoret 8 dhe 10d përfshin rreth 109 kilometra, me një vlerë kontraktuale të raportuar prej rreth 1,45 miliardë eurosh. Këto të dhëna dëshmojnë se ndërtimi i autostradave në rajon përfshin angazhime financiare shumë të mëdha.

Megjithatë, ato nuk mjaftojnë, të vetme, për të vërtetuar se çmimi i asfaltit për njësi në Serbi ose në Maqedoninë e Veriut është më i lartë sesa në Kosovë. Një krahasim i besueshëm duhet të përfshijë jo vetëm çmimin për kilometër, por edhe strukturën e punimeve, terrenin, numrin e urave dhe të nyjeve lidhëse, shpronësimet, standardet teknike, kohën e kontraktimit, inflacionin dhe kushtet e financimit. Krahasimi i çmimeve të përgjithshme të projekteve, pa i normalizuar këta faktorë, mund të jetë po aq çorientues sa edhe nxjerrja e përfundimeve politike nga një shifër e izoluar.

Për Kosovën, autostrada kishte edhe një dimension strategjik që nuk mund të anashkalohet: lidhjen e drejtpërdrejtë rrugore me Shqipërinë dhe, përmes saj, me portet e Adriatikut. Për një shtet të saposhpallur, kjo lidhje kishte rëndësi ekonomike, infrastrukturore dhe integruese. Kjo nuk e përjashton kritikën ndaj kostos së ndërtimit. Por kërkon që vlerësimi i projektit të përfshijë si shpenzimet, ashtu edhe përfitimet e tij afatgjata. Në fund të fundit, çmimi i një autostrade mund të jetë objekt i një auditimi financiar, i një hetimi penal ose i një debati për politikat publike; ai nuk mund të shndërrohet, pa prova të veçanta, në argument për të zhvlerësuar një akt historik të shpalljes së pavarësisë ose për të shpjeguar kufizimet ndërkombëtare të shtetësisë së Kosovës. Të ngatërrosh këto kategori do të thotë të zëvendësosh analizën e shkakësisë historike me një gjykim të përgjithshëm politik. Parimi themelor mbetet i njëjtë: përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e veprimeve konkrete dhe jo sipas përkatësisë politike të atyre që ushtrojnë pushtetin.

Në vend të përfundimit: Sovraniteti, vazhdimësia shtetërore dhe përgjegjësia e qeverive

Konsolidimi i shtetësisë së Kosovës ka qenë dhe mbetet një proces i ndërlikuar, i zhvilluar nën ndikimin e rrethanave të veçanta historike dhe të kufizimeve të rendit juridik ndërkombëtar. Pavarësia e vitit 2008, plani gjashtëpikësh i Ban Ki-moonit, mendimi këshillëdhënës i GJND-së, Rezoluta 64/298 e Asamblesë së Përgjithshme, marrëveshjet e Brukselit dhe Marrëveshja e Ohrit janë zhvillime që duhet të analizohen në kontekstin e tyre përkatës. Ato kanë lidhje ndërmjet tyre, por nuk përbëjnë domosdoshmërisht një zinxhir të vetëm shkakësor.

Plani gjashtëpikësh i vitit 2008 u refuzua formalisht nga Kosova. Mendimi këshillëdhënës i vitit 2010 konfirmoi se deklarata e pavarësisë nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Asambleja e Përgjithshme nuk kishte kompetencë t’i detyronte shtetet ta njihnin Kosovën. Dialogu me Serbinë nuk përbënte, në vetvete, heqje dorë nga sovraniteti, ndërsa marrëveshjet e arritura në kuadër të tij krijuan çështje të veçanta juridike dhe politike. Në këtë proces, secila qeveri ka pasur përgjegjësinë e saj për vendimet që ka marrë.

Përgjegjësia e një qeverie nuk mund të zgjerohet pafundësisht në kohë, sikurse përgjegjësia e një qeverie të mëvonshme nuk mund të zhduket pas argumentit se ajo ka trashëguar probleme nga paraardhësit. Vazhdimësia e shtetit është parim juridik. Vazhdimësia e përgjegjësisë politike individuale nuk është e pakufizuar. Po kështu, asnjë debat mbi koston e një investimi publik, sado i rëndësishëm të jetë për përgjegjësinë financiare të qeverisjes, nuk mund të shërbejë si zëvendësim për analizën juridike të pavarësisë, të njohjes ndërkombëtare dhe të ushtrimit të sovranitetit.

Por po aq i rëndësishëm është edhe një parim tjetër: historia e shtetësisë nuk mund të shkruhet duke fshirë nga kujtesa kolektive rolin e protagonistëve të akteve të saj themeluese. Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 është një akt historik i pakthyeshëm në kuptimin e vendit që zë në historinë politike të popullit të Kosovës. Hashim Thaçi, si kryeministër që lexoi Deklaratën e Pavarësisë, është pjesë e asaj historie, pavarësisht vlerësimeve për veprimtarinë e tij politike të mëvonshme. Ashtu si largimi i Ismail Qemalit nga pushteti në vitin 1914 nuk e zhbëri rolin e tij në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, as zhvillimet e mëvonshme politike nuk mund ta fshijnë rolin institucional të Thaçit në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk është çështje simpatie politike. Është çështje e respektimit të fakteve historike.

Njohja e një merite historike nuk nënkupton miratimin e çdo vendimi të mëvonshëm të atij që e ka atë meritë. Po kështu, kritika ndaj veprimtarisë së mëvonshme nuk mund të shërbejë si argument për mohimin e rolit të tij në një ngjarje themeluese. Një historiografi serioze duhet të jetë e aftë t’i mbajë të ndara këto dy kategori. Sovraniteti i Kosovës nuk mund të matet vetëm me deklarimet politike të qeverive të saj, por me aftësinë e institucioneve për ta ushtruar atë brenda rendit kushtetues dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Po kështu, përgjegjësia për dobësimin ose forcimin e shtetësisë nuk mund t’i atribuohet vetëm një periudhe historike.

Historia e Kosovës është më komplekse sesa biografia politike e cilitdo udhëheqës të saj. Por kjo nuk do të thotë se biografitë politike të protagonistëve të saj mund të shkëputen nga ngjarjet historike në të cilat ata kanë luajtur rol vendimtar. Për këtë arsye, pyetja themelore nuk është vetëm se çfarë ka ndodhur në vitin 2008 ose 2010, por edhe se si janë administruar mundësitë, kufizimet dhe përgjegjësitë shtetërore gjatë gjithë periudhës që ka pasuar.

Vetëm një qasje e tillë mund të prodhojë një vlerësim historik dhe juridik të qëndrueshëm, të çliruar nga personalizimi i përgjegjësisë dhe nga përdorimi selektiv i së kaluarës. Historia nuk mund të shndërrohet në instrument për të fshirë meritat e së kaluarës, sikurse meritat e së kaluarës nuk mund të shërbejnë për të përjashtuar përgjegjësinë për të tashmen.

Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark