Tri vlerësime të trajnerëve të Barcelonës nga vjeshta e vitit 2000 zbulojnë mendimet e ndryshme për talentin e ri argjentinas.
Dy prej tyre i vlerësuan cilësitë e tij, ndërsa njëri rekomandoi që të mos transferohej.
Historia përfundoi për fat të mirë për Barcelonën. Pavarësisht dyshimeve që u shfaqën në klub, Leo Messi i vogël do ta ndryshonte përgjithmonë historinë e tij.
Talenti i argjentinasit binte në sy që kur ishte fëmijë, por aftësitë e tij të jashtëzakonshme me topin nuk i bindën të gjithë.
Më shumë se dy dekada më vonë, disa raporte të publikuara nga gazetari Florent Torchut e rikthejnë në vëmendje faktin se rruga drejt legjendës nuk ishte pa dyshime në fillim.
Gazetari francez i “France Football”, njëherësh autor i biografisë “Rey Leo”, i bëri publike tri raporte vlerësimi të përgatitura nga trajnerët e La Masias gjatë provave të para të Messit te Barcelona, në vjeshtën e vitit 2000, përcjell “Gazeta Express”.
Dokumentet i tregojnë vlerësimet e ndryshme për futbollistin nga Rosario, i cili ishte 13 vjeç kur mbërriti në Barcelonë.
Aftësitë e tij teknike e tërhoqën shpejt vëmendjen, por shtatlartësia dhe zhvillimi fizik ngritën pikëpyetje për mundësinë e tij për të konkurruar në grupmoshat më të mëdha.
Tri raporte, tri vlerësime të ndryshme
Trajneri i parë i vlerësoi cilësitë futbollistike të Messit dhe epërsinë e tij teknike ndaj lojtarëve të tjerë të moshës së njëjtë.
“Për moshën që e ka, është një lojtar teknikisht shumë i kompletuar”, thuhej në raport.
Dokumenti e veçonte gjithashtu vizionin e lojës, shkathtësinë, inteligjencën, aftësinë në driblime dhe fuqinë e goditjes.
Përfundimi ishte pozitiv: “Shumë i mirë në zonë. E vetmja pikë e dobët është shtatlartësia dhe mungesa e fizikut. Lojtar i madh.”
Vlerësimi i dytë ishte shumë më pesimist. Edhe pse trajneri e pranonte se cilësia teknike e argjentinasit ishte e padiskutueshme, ai mendonte se fiziku mund të bëhej një pengesë serioze për zhvillimin e tij.
“Kufizimi i tij fizik (142 centimetra) e pengon të konkurrojë”, thuhej në dokument.

Trajneri e vinte në pikëpyetje edhe mundësinë që Messi të luante në kategoritë më të larta nëse do ta arrinte gjatësinë prej 150 centimetrash.
Përfundimi ishte i prerë: “Mendoj se nuk duhet të transferohet”. Si alternativë, ai propozonte që zhvillimi i futbollistit të ndiqej dhe të rivlerësohej pas disa vitesh.
Raporti i tretë e ofronte një këndvështrim krejtësisht të kundërt. Autori nuk dyshonte në potencialin e argjentinasit dhe e rekomandonte afrimin e tij në klub.
“Duke i ruajtur përmasat e krahasimit, është një Maradona (i vogël në moshë). Unë do ta transferoja, duhet të përmirësohet edhe më shumë. Do ta shohim zhvillimin e tij”, shkruante trajneri.
Krahasimi me Diego Armando Maradonën e tregonte përshtypjen që talenti i Messit mund ta krijonte edhe në atë fazë të hershme të karrierës.
Tri raporte, tri këndvështrime dhe e njëjta pikëpyetje: cilësitë teknike dukeshin të jashtëzakonshme, por fiziku shkaktonte pasiguri.

Një vendim që e ndryshoi historinë
Në fund, Messi i zhvilloi 778 ndeshje zyrtare me fanellën e Barcelonës, i shënoi 672 gola dhe fitoi 35 trofe.
Fëmija që mbërriti nga Rosario në moshën 13-vjeçare, për të cilin kishte dyshime për zhvillimin fizik, u shndërrua në golashënuesin më të mirë në historinë e klubit dhe njëri prej futbollistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.