Insajderi
Hulumtime/Analiza

Komuna e Podujevës i jep me negocim mbi 300 mijë euro aktivistit të VV-së, tejkalohet vlera e parashikuar

Insajderi
15 October 2026 - 15:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Komuna e Podujevës i jep me negocim mbi 300 mijë euro aktivistit të VV-së, tejkalohet vlera e parashikuar
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Blenera Karaxha

Komuna e Podujevës ia ka dhënë kompanisë “DnA Core L.L.C.” një kontratë prej 312 mijë eurosh për furnizim me pelet, përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kompania është në pronësi të Ardion Sylejmanit, i cili merrte pjesë rregullisht në aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa vlera e kontratës tejkalon për 60 mijë euro vlerën e parashikuar nga Komuna.

Gazeta Insajderi

Më 6 tetor 2026, Komuna e Podujevës ka njoftuar se ka dhënë një tender përmes procedurës së negociuar.

Kontrata vlerën e parashikuar në dosjen e tenderit e kishte 252 mijë euro.

Por, komuna e dha për 312 mijë euro. Kështu, vlera e kontratës së dhënë është 60 mijë euro më e lartë se ajo e parashikuar nga Komuna e Podujevës.

Në dosje të tenderit thuhet se kohëzgjatja e kontratës është 6 muaj.

Në dosje, Komuna e Podujevës ka përcaktuar si kriter për dhënien e kontratës çmimin më të ulët.

Insajderi ka pyetur Komunën e Podujevës se pse është përdorur procedura e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, cilat kanë qenë arsyet për zgjedhjen e kësaj procedure dhe si shpjegohet dallimi prej 60 mijë eurosh mes vlerës së parashikuar dhe asaj të kontratës së dhënë. Megjithatë, komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkaq, kontrata i është dhënë kompanisë që ka për pronar një aktivist të partisë që udhëheq me Podujevën.

Lidhja e DnA Core L.L.C me VV-në

Në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit të Kosovës (ARBK), DnA Core L.L.C., figuron se për pronar ka Aridon Sylejmani.

Fotografitë e postuara në rrjetet sociale e tregojnë Sylejmanin si pjesëmarrës aktiv në evente dhe aktivitete të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas publikimit të këtij teksti Komuna e Podujevës ka dal me një reagim.

Insajderi për hirë të korrektësisë publikon arsyetimin e plotë:

Sqarim lidhur me procedurën e furnizimit me pelet

Lidhur me lajmet e publikuara në disa portale rreth furnizimit me pelet Komuna e Podujevës sqaron si në vijim:

Komuna e Podujevës e ka pasur të nënshkruar një kontratë kornizë për furnizim me pelet për nevojat e shkollave, çerdheve, QKMF-në, zjarrfikësit. Por, operatori ekonomik me të cilin komuna ka pasur kontratë aktive nuk i ka përmbushur obligimet kontraktuale për furnizim, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme.

Menaxheri i kontratës ka pranuar e-mail nga operatori ekonomik se nuk mundet ta vazhdojë furnizimin me pelet me arsyetimin se çmimi i këtij produkti është rritur në krahasim me kohën kur është nënshkruar kontrata.

Për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale nga OE, Komuna ka marrë vendim për shkëputje të kontratës dhe i ka dërguar kërkesë kompanisë të sigurimeve që të njëjtit t’i konfiskohet sigurimi i ekzekutimit.

Meqenëse furnizimi me pelet është i domosdoshëm dhe urgjent për funksionimin e rregullt të institucioneve arsimore, veçanërisht të çerdheve publike, është zhvilluar procedura e prokurimit me negocim, me qëllim të sigurimit të furnizimeve të nevojshme dhe shmangies së pengesave në ofrimin e shërbimeve për fëmijët dhe institucionet arsimore.

Prioriteti i Komunës ka qenë dhe mbetet që asnjë institucion arsimor të mos përballet me vështirësi në funksionimin e përditshëm për shkak të mungesës së furnizimit me pelet.

Veprimet janë ndërmarrë duke pasur parasysh nevojat konkrete të shkollave dhe çerdheve, si dhe përgjegjësinë institucionale për të garantuar kushte sa më të mira për fëmijët dhe stafin arsimor.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark