Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, deklaroi se Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare sërish ka dërguar letër duke paralajmëruar rrezikimin e organizimit të ngjarjes sportive për shkak të vonesave.
Rama akuzoi Qeverinë se po injoron këto paralajmërime që vazhdojnë prej muajsh.
“Sot jemi këtu për të informuar opinionin publik për një situatë jashtëzakonisht serioze që ka të bëjë me organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Dje me 15 tetor, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ISMG) ka dërguar një letër zyrtare përmes së cilës paralajmëron për vonesat dhe mospërmbushjen e detyrimeve që rrezikojnë organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë. Kjo nuk është letra e parë, është vazhdimësi e paralajmërimeve që kanë nisur muaj më parë e që fatkeqësisht nuk kanë marrë përgjigjjen e duhur nga Qeveria. ISMG konstaton se letra e 21 shtatorit ka mbetur pa përgjigjje, garancia bankare ose e sigurimit e kërkuar që nga janari nuk është dorëzuar nga detyrimet financiare që është dashur të përmbushen në qershor dhe këto nuk janë paguar”, tha Rama.