Insajderi
Hulumtime/Analiza

Dosja e “Zero Group” – Insajderi zbulon kur u legalizua objekti që u përmend në bisedat e Snapchat-it

Insajderi
16 October 2026 - 13:56
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dosja e “Zero Group” – Insajderi zbulon kur u legalizua objekti që u përmend në bisedat e Snapchat-it
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Bisedat private të publikuara në Snapchat, në të cilat pretendohej se kërkoheshin deri në 30 mijë euro për legalizimin e objekteve në Prishtinë, vunë në qendër të vëmendjes Drejtorinë e Urbanizmit dhe zyrtarë të Komunës. Në këto komunikime përmendej edhe kompania “Zero Group”. Për të verifikuar rastin, Insajderi ka siguruar certifikatën e legalizimit të objektit, nga e cila dalin detaje për procedurën, vendimin e vitit 2025 dhe tejkalimet e lejes së ndërtimit të evidentuara në dokumentacionin zyrtar.

Përmbajtja e këtyre bisedave ngriti dyshime për pagesa të kundërligjshme, deri në 30 mijë euro, në këmbim të legalizimit të objekteve.

Më 30 korrik, Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Florent Maliqit dhe zyrtarëve të tjerë të kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

Sipas LVV-së, kallëzimi ishte bazuar në një sinjalizim anonim nga një grup asamblistësh, i cili përmbante email-e, komunikime dhe materiale që ngrinin dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe legalizime të kundërligjshme.

Maliqi, i cili në atë kohë drejtonte Drejtorinë e Urbanizmit dhe më vonë u emërua shef i kabinetit të Ramës, i mohoi akuzat. Ai i cilësoi bisedat e publikuara si “fabrikime e trillime”, duke pretenduar se ato ishin pjesë e një përpjekjeje për shantazh politik.

Maliqi paralajmëroi padi dhe deklaroi se vendimet e marra gjatë mandatit të tij ishin në përputhje me ligjin.

Për të verifikuar dokumentacionin e legalizimeve, më 12 gusht, Insajderi i dërgoi Komunës së Prishtinës kërkesë për qasje në dokumente publike, duke kërkuar dosjet e disa objekteve banesore e afariste, përfshirë atë të kompanisë “Zero Group sh.p.k.”.

Dokumentet nuk u dorëzuan brenda afatit të kërkuar.

Pas ankesës së Insajderit, ndërhyri Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), ndërsa më 16 tetor Komuna e Prishtinës e dorëzoi dosjen e kërkuar.

Objekti u legalizua në maj të vitit 2025

Sipas certifikatës së siguruar nga Insajderi, me numër reference 05-351/01-40274/24, kompania “Zero Group sh.p.k.” kishte aplikuar për legalizimin e objektit më 21 mars 2024.

Objekti ndodhet në lagjen Arbëria në Prishtinë dhe përfshin hapësira banimi e afarizmi. Në dokumentacion, adresa figuron në rrugën “Ahmet Krasniqi”, me numrat 193, 195 dhe 197.

Aplikimi ishte për trajtimin e një ndërtimi pa leje të Kategorisë II. Objekti shtrihet në parcelën kadastrale 7167-0, në zonën kadastrale të Prishtinës, me sipërfaqe të përgjithshme prej 9,335 metrash katrorë.

Në dokument figuron Selatin Bajrami si pronar i regjistruar i parcelës, me pjesën 2334/9335.

Sipas dosjes, zyrtarët komunalë e inspektuan objektin më 18 prill 2025, për të verifikuar çështjet që lidhen me arkitekturën dhe mbrojtjen nga zjarri.

Më 26 maj 2025, investitori pagoi 2,356.96 euro për taksën administrative, përmes Bankës Kombëtare Tregtare.

“Bazuar në kërkesën e lartshënuar, kjo drejtori, ka caktuar taksën administrative me shkresën zyrtare, Njoftimin për taksë me nr05-351/01-40274/24 dt.26.05.2025, për ndërtimin në fjalë, si fazë paraprake për lëshimin e Certifikatës se legalizimit. Pas pranimit të dëshmisë së pagesës fatura me numer identifikues dt. 26.05.2025 në shumën prej 2,356.96€ (dymijë e treqind e pesëdhjet e gjashte euro e nëntëdhjet e gjashte cent), paguar në Bankën Kombetare Tregtare, kjo drejtori ka vazhduar procedurat për lëshimin e Certifikatës se Legalizimi”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Insajderi.

Dy ditë më vonë, më 28 maj, Komuna lëshoi certifikatën e legalizimit.

Vendimi mban nënshkrimet e Fatos Dibrës, udhëheqës i Sektorit të Legalizimit, dhe Fitore Shala Krasniqit, zyrtare e lartë për arkitekturë.

Mbi 7,500 metra katrorë dhe tejkalime të lejes

Në fletën e informatave teknike, dokumentacioni zyrtar përcakton sipërfaqen bruto të objektit në 7,536.51 metra katrorë.

Etazhiteti është shënuar si B+3S+P+7, që nënkupton një bodrum, tri suterenë, përdhesën dhe shtatë kate.

Në certifikatën e legalizimit, Komuna e ka klasifikuar objektin zyrtarisht si “Tejkalim i lejes së ndërtimit”.

Këto shënime tregojnë se dokumentacioni i legalizimit e klasifikon rastin si tejkalim të lejes së ndërtimit dhe ndërhyrje pa leje në një ndërtesë me leje.

Në dosjen e “Zero Group” përfshihet dokumentacioni teknik i përgatitur nga gjeodeti Xhavit Fetahu, ku janë shënuar edhe koordinatat Y=7512077.402 dhe X=4724402.764.

E pyetur nga Insajderi për qasjen në dokumentacionin e kërkuar, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati, ka thënë se përcjellja elektronike e dosjeve të plota është teknikisht e pamundur për shkak të vëllimit dhe formatit të dokumenteve.

“Dosjet e kërkuara përmbajnë mbi 500 faqe dokumentacion. Krahas akteve administrative, përfshijnë dokumentacion teknik, skica, plane dhe shtojca të tjera, si dhe të dhëna personale e dokumentacion të palëve të treta. Përgatitja dhe digjitalizimi i tyre, së bashku me shqyrtimin, veçimin dhe anonimizimin e të dhënave të mbrojtura, kërkojnë angazhim të konsiderueshëm të kapaciteteve të njësisë përgjegjëse dhe ndërhyjnë në mënyrë të paarsyeshme në operimin efektiv të saj”, ka deklaruar Kastrati për Insajderin.

Rasti është duke u trajtuar edhe nga Prokuroria Speciale, pas kallëzimit penal të dorëzuar më 30 korrik nga Lëvizja Vetëvendosje ndaj Florent Maliqit dhe zyrtarëve të tjerë të kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark