Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, rasti ka ndodhur më 15 tetor 2026, rreth orës 23:00, në Gjilan.
IPK bën të ditur se dy zyrtarët policorë dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare të policisë.
Gjatë këtij veprimi, sipas dyshimeve fillestare, ndaj qytetarit është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia. Po ashtu, policët dyshohet se ia kanë marrë telefonin pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Dyshimet për veprimet e zyrtarëve policorë mund të ndërlidhen me një ankesë që i njëjti qytetar kishte parashtruar në korrik të vitit 2026, ndaj policëve në fjalë.
Ankesa e mëhershme kishte të bënte me dyshimet për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.
Pas veprimeve fillestare hetimore, IPK ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë, ndërsa rasti do të trajtohet sipas procedurave ligjore.