Insajderi
Sport

Presidenti i La Ligës i kundërpërgjigjet ashpër Realit: Po tenton ta prishë garën kombëtare

Insajderi
17 October 2026 - 09:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Presidenti i La Ligës i kundërpërgjigjet ashpër Realit: Po tenton ta prishë garën kombëtare
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kapitulli i fundit i përplasjes së vazhdueshme mes Javier Tebasit dhe Real Madridit është përshkallëzuar, pasi presidenti i La Ligës bëri një krahasim kontrovers mes “RMTV”-së dhe teknikave të propagandës naziste të përdorura nga Joseph Goebbels.

Real Madridi reagoi me një komunikatë zyrtare me tone të ashpra, duke kërkuar dorëheqjen e Tebasit dhe fundin e asaj që klubi e konsideron armiqësi të vazhdueshme ndaj tij.

Megjithatë, Tebasi refuzoi ta linte çështjen me kaq. Ai u përgjigj me një mesazh të gjatë në rrjetet sociale, duke mbrojtur qëndrimin e tij dhe duke nisur një tjetër sulm ndaj drejtuesve të klubit madrilen.

“Kam humbur numërimin e rasteve kur drejtuesit e Real Madridit kanë kërkuar dorëheqjen time ose kanë tentuar të më skualifikojnë gjatë 13 viteve të fundit: ankesa në Këshillin e Lartë të Sportit (CSD), drejtpërdrejt ose përmes palëve të treta, procedura penale dhe të tjera”, e nisi ai.

Më tej, shtoi: “Kërkesa e sotme është vetëm një tjetër e tillë. Ajo që ende nuk ka ardhur janë përgjigjet. Ata e ngatërrojnë neutralitetin me pavarësinë. Pozita ime kërkon pavarësi, jo pasivitet përballë padrejtësive apo heshtje ndaj sulmeve të vazhdueshme, të tepruara dhe fyese të Real Madrid TV-së kundër garës sonë dhe përfaqësuesve të saj. Presidenti i La Ligës duhet ta mbrojë garën, përfshirë edhe përballjen me drejtuesit e Real Madridit”.

Tebasi më pas e zhvendosi vëmendjen te çështja Negreira, duke hedhur poshtë akuzat se La Liga nuk kishte ndërmarrë veprime kur dolën në pah pretendimet për pagesat e Barcelonës ndaj kompanive të lidhura me Jose Maria Enriquez Negreiran.

“La Liga veproi që nga fillimi në çështjen Negreira. Përsëritja e pretendimit se kemi qenë pasivë nuk e bën atë të vërtetë”, këmbënguli ai.

Më pas, ai vuri në pikëpyetje edhe sjelljen e vetë Real Madridit, duke iu referuar faktit se Florentino Perez vazhdoi të ishte pjesë e organeve drejtuese të Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF) gjatë një pjese të periudhës në fjalë.

“Florentino qëndroi për muaj të tërë në organet drejtuese të RFEF-së. Sipas ‘Relevo’, dorëheqjet e tij nga komiteti drejtues dhe ajo e Laportës u paraqitën në të njëjtën ditë: më 30 tetor 2023. Në Asamblenë e Delegatëve më 24 nëntor 2024, kur u pyet për ndërprerjen e marrëdhënieve me Barcelonën, ai u përgjigj: ‘Barcelona dhe Madridi duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin’. Ai shtoi gjithashtu: ‘Pse duhet të grindemi?’ Po, kjo ishte më pak se dy vjet më parë. Të prishim marrëdhëniet me Barcelonën? Pa koment. Çfarë ndryshoi? Pse ky përshkallëzim përkon me shkëputjen e Barcelonës nga Superliga? A ndryshoi serioziteti i ngjarjeve apo ndryshuan interesat e tyre? Ku ishte indinjata e Real Madrid TV-së më parë?”, pyeti Tebasi.

Presidenti i La Ligës vazhdoi duke vënë në pikëpyetje provat që qëndrojnë pas pretendimeve se gjyqtarët vazhdojnë të jenë nën ndikimin e Negreiras, vite pasi pagesat kishin përfunduar.

“Nëse janë kaq të bindur se ata gjyqtarë ende veprojnë nën ndikimin e Negreiras, tetë vjet pas përfundimit të pagesave, çfarë provash kanë? Çfarë ankesash konkrete kanë paraqitur pranë autoriteteve kombëtare, UEFA-s apo FIFA-s? Kërkimi i llogaridhënies nga Barcelona nuk e vërteton një akuzë kundër çdo gjyqtari. Një video nuk i zëvendëson provat. Vënia në shënjestër e individëve në këtë mënyrë është jashtëzakonisht serioze dhe e papërgjegjshme”, tha ai tutje.

Tebasi pranoi se kishte pasur përparim në reformën e arbitrimit, megjithëse shtoi se do të kishte preferuar ndryshime më të shpejta dhe më gjithëpërfshirëse.

“Sa i përket reformës së arbitrimit, është bërë përparim, por ka ende shumë për të bërë. Do të kisha dashur që të ecnim më shpejt dhe të shkonim më larg. Por institucionet nuk mund të bëjnë thjesht gjithçka që duan drejtuesit e Real Madridit, varësisht nga interesat e tyre, disponimi, situata sportive apo marrëdhëniet me Barcelonën në një moment të caktuar. Ato gjithashtu nuk mund t’i shpërfillin palët e tjera të interesuara dhe mbështetjen e shumicës dërrmuese të klubeve. Reforma nuk do të thotë t’u bindesh atyre”, u shpreh ai.

Më pas, ai bëri akuzën e tij më të ashpër ndaj drejtuesve të Real Madridit.

“Përfundimi im është se ata po përpiqen ta SHKATËRROJNË garën kombëtare. Ajo që nuk kanë arritur ta bëjnë deri më tani me Superligën, po përpiqen ta realizojnë përmes një narrative të shtrembëruar, të promovuar nga mediat dhe zëdhënësit e tyre. Ata e quajnë këtë ripërtëritje, ndërkohë që po e sulmojnë prestigjin e garës në të cilën marrin pjesë”, shkroi ai.

Tebasi më pas e sfidoi Real Madridin që t’u përgjigjej disa pretendimeve që, sipas tij, u atribuohen burimeve pranë klubit. Këto përfshijnë krahasimet mes tij dhe Negreiras, si dhe akuzat se La Liga e ka dëmtuar qëllimisht Real Madridin përmes caktimit të orareve të ndeshjeve.

“Nëse krahasimi mes Tebasit dhe Negreiras, që një gazetar ua ka atribuar burimeve të klubit, është i rremë, MOHOJENI. Nëse është e pavërtetë që ato burime i kanë thënë se La Liga i dëmton përmes caktimit të orareve të ndeshjeve, MOHOJENI”, shkroi ai.

“Nuk po pyes se kush ia paguan rrogën. Po pyes nëse ai raporton atë që i thoni ju”, vazhdoi ai tutje.

Presidenti i La Ligës kërkoi gjithashtu publikimin e të gjitha kërkesave të Real Madridit për ndryshimin e datave dhe orareve të ndeshjeve, përfshirë ato që synonin përshtatjen e kalendarit me ngjarjet e tjera në “Santiago Bernabeu”.

“Publikoni sa ndryshime të datave dhe orareve të ndeshjeve keni kërkuar, sa prej tyre janë miratuar dhe sa kanë pasur për qëllim përshtatjen e kalendarit me ngjarjet e tjera në ‘Bernabeu’. Edhe kërkesat që janë pranuar duhet të llogariten, edhe nëse e prishin narrativën tuaj. Nëse po veproni me mirëbesim, mohoni atë që është e pavërtetë, shpjegoni atë që është e vërtetë dhe bëjini publike TË GJITHA faktet”, shkroi ai më tej.

Tebasi e përfundoi deklaratën duke argumentuar se kërkesat e përsëritura të Real Madridit për dorëheqjen dhe shkarkimin e tij janë pjesë e një fushate më të gjerë frikësimi.

Ai iu referua gjithashtu asaj që e përshkroi si një kërcënim të mëparshëm lidhur me reputacionin e tij në mesin e tifozëve të klubit.

“Atëherë vazhdoni të kërkoni dorëheqjen time, skualifikimin tim apo ‘vdekjen’ time shoqërore. Tashmë e di se si funksionon kjo. I mbaj mend edhe fjalët: ‘Do ta kthej të gjithë tifozërinë e Real Madridit kundër teje dhe nuk do të mund të ecësh në rrugë’. Mos i vendosni më individët në shënjestër dhe mos e ngatërroni kritikën ndaj drejtuesve tuaj me sulmet ndaj klubit dhe tifozëve të tij. Kjo ka një emër: frikësim. Fakti që e mbështillni me një komunikatë zyrtare nuk e shndërron atë në ripërtëritje”, përfundoi Tebasi.

Ky shkëmbim shënon një tjetër përshkallëzim të konfliktit gjithnjë e më publik mes La Ligës dhe Real Madridit, ku çështja Negreira, reforma e arbitrimit, Superliga dhe caktimi i orareve të ndeshjeve vazhdojnë ta ushqejnë përplasjen.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark