Policia e Shtetit në Shqipëri ka deklaruar se punonjësit e saj janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të maskuar, të cilët më pas janë futur në ambientet e jashtme të selisë së Partisë Demokratike.
Sipas policisë, personat e dhunshëm u futën në ambientet e jashtme të selisë së këtij subjekti politik për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e uniformave blu, ndërsa vazhduan sulmin ndaj punonjësve të policisë.
Përmes një reagimi zyrtar, Policia e Shtetit bëri të ditur se ndaj sulmit me molotovë është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës.
“Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës”, thuhet në reagim.
Policia i ka cilësuar si të pavërteta dhe dashakeqe pretendimet e tjera lidhur me ngjarjen, duke thënë se ato synojnë, sipas saj, fshehjen e së vërtetës. /Insajderi.org/