Të hënën, në orën 13:15, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, do të mbahet seanca gjyqësore për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, që ndodhi më 29 nëntor 2024 në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon tre të pandehurit për armëmbajtje pa leje. Ndërkaq, Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq ngarkohen edhe me vepra të tjera penale, përfshirë rrezikimin e rendit kushtetues përmes shkatërrimit ose dëmtimit të instalimeve dhe pajisjeve publike, kryerjen e veprës terroriste dhe spiunazhin.
Aktakuza ndaj tre të pandehurve është ngritur më 9 dhjetor 2025 nga Prokuroria Speciale.
Sulmi në kanalin e Ibër-Lepencit shkaktoi dëme të konsiderueshme në këtë infrastrukturë, e cila ka rëndësi për furnizimin me ujë dhe funksionimin e sistemit energjetik në Kosovë.