Shqipëria mes shkëlqimit ndërkombëtar, pabarazisë sociale dhe protestave qytetare.
Shkruan: Kushtrim Kadriu
Edi Rama, në politikën e jashtme, ka dëshmuar aftësi për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe për ta promovuar Shqipërinë si një vend serioz, me ambicie dhe me rol gjithnjë e më të dukshëm në arenën ndërkombëtare.
Por, kur një lider botëror apo një qytetar i huaj viziton Shqipërinë dhe del përtej fasadës së saj promovuese, përballet edhe me një realitet tjetër. Një realitet ku zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i kushteve të jetesës nuk janë ndier njësoj nga të gjithë qytetarët.
Shqipëria ka një bregdet të mrekullueshëm, pasuri të jashtëzakonshme natyrore dhe potencial të madh turistik. Megjithatë, rrugët që të çojnë drejt disa prej këtyre perlave natyrore vazhdojnë të jenë në gjendje të rënduar, duke krijuar përshtypjen se investimet publike nuk e kanë ndjekur gjithmonë ritmin e zhvillimit turistik.
Kontrastet sociale janë po aq të dukshme. Në Tiranë, në të njëjtin semafor, mund të presin një qytetar me Lamborghini dhe një tjetër me karrocë me kalë. Kjo pamje, përtej simbolikës së saj, ngre një pyetje thelbësore: Sa vlen zhvillimi ekonomik nëse frytet e tij nuk shpërndahen në mënyrë më të drejtë në shoqëri?
Korrupsioni mbetet një tjetër shqetësim serioz. Hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve të lartë, si dhe rastet e tjera nën shqyrtim nga drejtësia, kanë shtuar debatin publik për përgjegjësinë institucionale, transparencën dhe mënyrën e qeverisjes.
Në këtë kontekst, pakënaqësia qytetare dhe protestat janë të kuptueshme. Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogaridhënie, ndryshim dhe një standard më të mirë jetese. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike dhe një instrument legjitim për të shprehur pakënaqësinë ndaj pushtetit.
Megjithatë, protesta nuk duhet të shndërrohet në dhunë.
Shqipëria është një vend që po e ndërton gjithnjë e më shumë ekonominë e saj edhe mbi turizmin. Pamjet e dhunës dhe të shkatërrimit në rrugët e kryeqytetit mund të dëmtojnë perceptimin ndërkombëtar për sigurinë e vendit, duke ndikuar negativisht në një sektor prej të cilit sigurojnë jetesën mijëra familje shqiptare.
Kritika ndaj qeverisë dhe kërkesa për ndryshim nuk duhet të ngatërrohen me dëmtimin e imazhit dhe të interesit të përgjithshëm të shtetit.
Shqipëria ka nevojë për zhvillim që nuk shihet vetëm në fotografitë promovuese, por ndihet në jetën e përditshme të qytetarëve. Ka nevojë për institucione të përgjegjshme, drejtësi funksionale dhe protesta demokratike që e forcojnë shtetin, jo që e dëmtojnë atë.
Sepse suksesi i një shteti nuk matet vetëm me mënyrën se si e sheh bota, por mbi të gjitha me mënyrën se si jetojnë qytetarët e tij.