Seanca e sotme gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, ku të akuzuar janë Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq, është ndërprerë pas kërkesës së prokurorit zëvendësues, Armend Zenelaj, për shtyrjen e seancës për një datë tjetër.
Prokurori Zenelaj, duke arsyetuar mungesën e prokurorit të rastit, Bekim Kodraliu, tha se ky i fundit kishte një urgjencë dhe se ai kishte ardhur vetëm për ta zëvendësuar, shkruan Insajderi.
“Prokurorit të çështjes, Bekim Kodraliu, i ka dalë një urgjencë dhe kam ardhur vetëm për ta zëvendësuar. Propozoj që seanca e sotme të ndërpritet dhe e njëjta të shtyhet për një datë tjetër”, deklaroi Zenelaj.
Me këtë propozim u pajtua avokati i të akuzuarit Jovan Viqentijeviq, Nebojsha Vllaiq, por ai shprehu rezerva lidhur me mungesën e prokurorit të rastit.
“Etika e profesionit më thotë që të pajtohem, por kjo seancë nuk ka ardhur si vetëtima. Ai ka qenë këtu kur është caktuar data dhe është dashur të vijë”, tha Vllaiq.
Pas këshillimit, trupi gjykues e aprovoi propozimin e prokurorit dhe vendosi që seanca të ndërpritej.
Gjatë seancës së sotme, dëshminë e saj e ka dhënë pjesërisht edhe Tijana Viqentijeviq, mbesa e të akuzuarve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq.
Ndërkaq, gjyqtari Vesel Ismaili ka bërë të ditur se arsyeja pse nuk po caktohet një datë e re për vazhdimin e seancës lidhet me pensionimin e tij.
“Me 10 nëntor e përfundoj karrierën time profesionale dhe dal në pension”, ka deklaruar Ismaili. /Insajderi.org/