Paris Saint-Germaini është i shqetësuar për mungesën e Nuno Mendesit në përballjen e madhe ndaj Barcelonës në Ligën e Kampionëve.
Trajneri Luis Enrique duhet të gjejë zgjidhjen e duhur për ta ndalur Lamine Yamal, një prej rreziqeve kryesore të skuadrës katalanase.
Sipas mediumit francez “L’Équipe”, një nga mundësitë më serioze është aktivizimi i Warren Zaïre-Emeryt në një pozitë jo të zakonshme, me detyrën për ta mbuluar nga afër talentin e Barcelonës, përcjell “Gazeta Express”.
Mesfushori francez vlerësohet për intensitetin, aftësinë për të mbuluar hapësira të mëdha dhe gatishmërinë për sakrificë.
Megjithatë, PSG-ja e di se vetëm mbulimi individual mund të mos mjaftojë për ta frenuar Yamalin, ndaj do të nevojiten edhe mbulime të dyfishta dhe ndihmë nga bashkëlojtarët.
Yamal po e kalon një formë të jashtëzakonshme, me 9 gola dhe 10 asistime që nga fillimi i sezonit.
Luis Enrique po shqyrton edhe alternativa të tjera, përfshirë Lucas Hernandezin, por Zaïre-Emery duket se është kandidati kryesor për momentin.
Dueli i tij me Yamalin mund të jetë një prej elementeve vendimtare të ndeshjes.