Komuna e Gjilanit ka vendosur t’ia japë kompanisë “Dardania Group” Sh.P.K., në pronësi të ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, një pjesë të pronës komunale për shfrytëzim për 99 vjet, me qëllim të ndërtimit të një kompleksi afaristo-banesor në lagjen e Balecit. Në këmbim, komuna parashihet të përfitojë 30 për qind të sipërfaqes neto të objektit që do të ndërtohet. Vendimi tashmë i është përcjellë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për shqyrtim të ligjshmërisë, pasi projekti mbështetet në një plan zhvillimor urban për periudhën 2006–2015.
Gazeta Insajderi
Vendimi i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, i miratuar më 24 shtator 2026, përfshin dy pjesë të ngastrave kadastrale në pronësi të Komunës, 218 metra katrorë gjithsej.
Pjesa e parë është 30 metra katrorë e cila në tërësi ka sipërfaqe prej 5,598 metrash katrorë. Pjesa tjetër është 188 metra katrorë me sipërfaqe të përgjithshme prej 10,135 metrash katrorë.
Prona do t’i shërbejë kompletimit të parcelës ndërtimore për realizimin e kompleksit afaristo-banesor në lagjen e Balecit, përballë stadiumit të qytetit në Gjilan.
Propozimi për dhënien e pronës në shfrytëzim është paraqitur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, më 16 shtator 2026, pas kërkesës së kompanisë “Dardania Group” Sh.P.K.
Kompania identifikohet si investitore e projektit dhe si pronar i saj figuron Bajram Hasani.
Sipas vendimit të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, prona komunale nuk do t’i bartet kompanisë në pronësi. Ajo do të përdoret për realizimin e projektit, ndërsa investitori nuk lejohet ta tjetërsojë, t’ia bartë një personi tjetër të drejtën e shfrytëzimit apo ta ngarkojë me hipotekë ose të drejta të tjera sendore.

Kompensimi prej 30 për qind, ndarja e hapësirave mbetet për më vonë
Sipas propozimit të kryetarit Alban Hyseni, investitori do ta realizojë ndërtimin e kompleksit, ndërsa Komuna e Gjilanit do të kompensohet me pjesëmarrje në ndërtim.
Në dokument thuhet se komunës do t’i ndahet 30 për qind e sipërfaqes neto të objektit, duke përjashtuar muret dhe hapësirat e përbashkëta, në raport me sipërfaqen e tokës komunale të paraparë për ndërtim.
Kjo përqindje është mbështetur në raportin e një komisioni komunal të datës 26 mars 2025, i cili kishte shqyrtuar kërkesat e investitorëve për realizimin e komplekseve afaristo-banesore në dy lokacione të ndryshme në Gjilan.
Komisioni, i përbërë nga Naser Sylejmani, Hamdi Ismaili dhe Salih Fazliu, kishte shqyrtuar dokumentacionin e kompanive, njoftimet urbanistike dhe të dhënat kadastrale të pronave komunale.
Në raport thuhet se “vlera e kompensimit për pjesëmarrje në ndërtimin e përbashkët, sipas rrjedhave të tregut në këto dy zona sillet rreth 30%”.
Por, komisioni nuk i kishte përcaktuar në atë fazë hapësirat konkrete që do t’i takonin komunës.
“Në emër të kompensimit dhe pozitës së tyre në objekt do të bëhet pas pajisjes me Leje Ndërtimore dhe vërtetimit të dokumentacionit teknik në DUPMM”, thuhet në raportin e komisionit.
Kjo nënkupton se ndarja e saktë e sipërfaqes që do të përfitojë komuna është lënë për një fazë të mëvonshme, pasi të përcaktohen kushtet e ndërtimit dhe të miratohet dokumentacioni teknik.
Në dokumentet e përfshira në dosje nuk specifikohet se sa metra katrorë do t’i takojnë Komunës së Gjilanit, as cilat banesa apo lokale afariste do të përfshihen në pjesën e saj.
Po ashtu, në dokumentacionin e shqyrtuar nuk paraqitet një vlerë konkrete monetare e pronës komunale që do të vihet në shfrytëzim për 99 vjet, e krahasuar me vlerën e hapësirave që komuna pritet t’i marrë si kompensim.
Komisioni kishte rekomanduar që propozimet për marrëveshjet me investitorët të procedoheshin në Kuvendin Komunal për miratim.
Sipas arsyetimit të komunës, përfshirja e pronës publike në parcelën ndërtimore është e nevojshme për realizimin e kompleksit. Me këtë marrëveshje, komuna synon që përmes pjesëmarrjes në ndërtim të bëhet pronare e njësive të reja kadastrale në objekt.
Megjithatë, përfitimi përfundimtar i komunës do të varet nga sipërfaqja që do të ndërtohet, përcaktimi i hapësirave që do t’i ndahen dhe kushtet që do të përfshihen në marrëveshjen me investitorin.

Pas miratimit nga Kuvendi Komunal, vendimi është proceduar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), e cila më 29 shtator 2026 e ka përcjellë atë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në shkresë kërkohet shqyrtimi i ligjshmërisë së vendimit për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronës komunale, me kompensim në ndërtim.
MAPL e ka arsyetuar kërkesën për shqyrtim me faktin se prona komunale duhet të jetë në pajtim me dokumentet e planifikimit hapësinor dhe t’i plotësojë kriteret mjedisore.
“Meqenëse Ligji Nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës […] është që prona e paluajtshme e komunës e cila jepet në shfrytëzim duhet të jetë në pajtim me dokumentet e planifikimit hapësinor dhe të plotësojë kushtet dhe kriteret e përcaktuara mjedisore”, thuhet në shkresën e MAPL-së.
Ministria ka kërkuar nga MMPH-ja që të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit, duke theksuar se qëllimi i dhënies së pronës në shfrytëzim është bazuar në Planin Zhvillimor Urban “2006–2015”.
MAPL ka bërë të ditur se pas vlerësimit nga ministria përgjegjëse për planifikimin hapësinor, do të vazhdojë shqyrtimin e vendimit në aspektin procedural.
“Pas vlerësimit nga ju, si Ministri përgjegjëse për fushën përkatëse, MAPL do vazhdoj vlerësimin e këtij vendimi, në aspektin procedural”, thuhet në dokument.
Në një përgjigje për interpretim ligjor, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka sqaruar se ligji nuk përcakton vazhdimin automatik të zbatimit të Planit Zhvillimor Komunal pasi të përfundojë periudha për të cilën është miratuar.
Në dokumentin e saj, ministria i referohet Ligjit për Planifikimin Hapësinor dhe ndërlidhjes ndërmjet Planit Zhvillimor Komunal dhe Hartës Zonale të Komunës.
MMPH thekson se këto dokumente janë të lidhura mes vete, ndërsa ligji parasheh një periudhë së paku tetëvjeçare për dokumentet përkatëse të planifikimit hapësinor.
“Ligji Nr. 04/L-174 nuk përmban një dispozitë që përcakton vazhdimin automatik të zbatimit të Planit Zhvillimor Komunal pas përfundimit të periudhës për të cilën është miratuar”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Më tej, ministria sqaron se ligji nuk e përcakton shprehimisht as efektin që përfundimi i periudhës së planit zhvillimor komunal prodhon ndaj Hartës Zonale të Komunës, kur kjo e fundit vazhdon të jetë brenda periudhës për të cilën është miratuar.
Për këtë arsye, MMPH rekomandon që komunat të përqendrohen në përfundimin e dokumenteve të reja të planifikimit hapësinor dhe të harmonizojnë periudhat e vlefshmërisë së tyre, për të shmangur paqartësitë në zbatim.
Për rastin e Gjilanit, MAPL-ja ka kërkuar shprehimisht vlerësimin e vendimit, duke pasur parasysh se ai mbështetet në Planin Zhvillimor Urban “2006–2015”. Në dokumentacionin e shqyrtuar nuk figuron një përfundim përfundimtar i këtij shqyrtimi.
Insajderi ka adresuar pyetje në Komunën e Gjilanit dhe në ministrinë përkatëse lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje nga asnjëri institucion.
Sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), Bajram Hasani figuron pronar me 100 për qind të pjesëmarrjes në kompaninë “Dardania Group” Sh.P.K.
Hasani është politikan nga Gjilani dhe ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës. Ai e mori detyrën më 11 shtator 2017 dhe u lirua nga posti më 5 shtator 2018.
Emri i tij është përmendur edhe në një proces gjyqësor që lidhej me planifikimin e Zonës Ekonomike në Malishevë.
Në korrik të vitit 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli Hasanin fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe e dënoi me dy vjet e gjashtë muaj burgim.
Megjithatë, më 4 shtator 2026, Gjykata e Apelit e ndryshoi aktgjykimin dhe e liroi Hasanin dhe të akuzuarit e tjerë nga akuzat. Apeli vlerësoi se gjendja faktike ishte vërtetuar gabimisht dhe se përgjegjësia penale e të akuzuarve nuk ishte provuar.
