Insajderi
Hulumtime/Analiza

Standarde të dyfishta | Ngritën dyshime se si vetëm tre nga 21 të dyshuarit në rastin “SkyECC” u lanë të lirë me dorëzani nga Gjyqtari Kushtrim Shyti

Insajderi
20 October 2026 - 15:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Standarde të dyfishta | Ngritën dyshime se si vetëm tre nga 21 të dyshuarit në rastin “SkyECC” u lanë të lirë me dorëzani nga Gjyqtari Kushtrim Shyti
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Nga 21 të dyshuarit në rastin e madh të trafikut ndërkombëtar të drogës përmes “SkyECC”, vetëm tre u liruan nga gjyqtari Kushtrim Shyti me nga 10 mijë euro dorëzani, ndërsa të tjerët mbetën në paraburgim. Kontrasti mes masave të sigurisë bëhet edhe më i theksuar kur në dosjen e Prokurorisë Speciale përshkruhen role të ngjashme në trafikimin e heroinës e kokainës, transportin ndërkombëtar të narkotikëve dhe funksionimin e rrjetit kriminal. Për njërin nga të liruarit, prokuroria përmend automjete me bunkerë të posaçëm për fshehjen e drogës, ndërsa për një tjetër transportimin e kokainës drejt Zvicrës dhe përmes kontejnerëve drejt Antverpenit. Megjithatë, për këta tre u vlerësua e mjaftueshme dorëzania prej 10 mijë eurosh, kurse për të dyshuar të tjerë u vazhdua paraburgimi. Mbrojtja pretendon se ky dallim ngre pikëpyetje për trajtimin e barabartë të të dyshuarve dhe e ka dërguar çështjen në Gjykatën Supreme. Gjykata nuk ka monetuar, derisa Prokurori i rastit i tha Insajderit se po e vazhdon hetimin i papenguar

(E edituar)

Visar Duriqi

Zanafilla e një prej hetimeve më të mëdha të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) kundër grupeve të strukturuara kriminale dhe përdorimit të platformës së koduar “SkyECC” ka sjellë përplasje interpretimesh lidhur me masat e sigurisë.

Gjatë këtij hetimi masiv për krim të organizuar, trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe shpëlarje parash, Prokuroria Speciale kishte përpiluar një dosje të madhe një pjesë të së cilës e futi në kërkesën për caktimin dhe vazhdimin e masës së paraburgimit për një grup prej 21 të dyshuarish kryesorë të arrestuar deri tani. Pritet që ky rast të zgjerohet edhe me të dyshuar të tjerë.

Megjithatë, për vendimet e marra nga gjyqtari i procedurës paraprake, Kushtrim Shyti, të datës 02.09.2026, janë ngritur dyshime nga mbrojtja për përdorimin e standardeve të dyfishta.

Ndërsa për pjesën më të madhe të grupit paraburgimi u vazhdua, gjyqtari vendosi t’i lirojë tre prej tyre – Armend Ismajlin, Edin Berishën dhe Lorik Tiganin – duke ua zëvendësuar masën e sigurisë me dorëzani prej 10,000 eurosh, pavarësisht se nga kërkesa e prokurorisë rezulton se të gjithë ishin vendosur në të njëjtin rrafsh rrezikshmërie dhe akuzash.

Edhe Gjykata e Apelit e ka konfirmuar këtë vendim të Shytit, por edhe për kët ka raportuar Gazeta Insajderi, pasi që edhe në këtë vendim u ngritën dyshime se njëri nga qyqarët që ishte në panel,  Valon Kurtaj, nuk duhej të ishte aty, por Apeli e sqaroi më vonë se ishte, sipas tyre, gabim teknik.

Pavarësisht zhvillimeve në Apel, kur bëhet fjalë për vazhdimin e paraburgimit për shumicën e të dyshurve e lirimin vetëm të tre prej tyre, ky dallim i bërë nga gjyqtari Shyti — i kontestuar zyrtarisht fillimisht përmes ankesave të mbrojtjes në Gjykatën e Apelit dhe tashmë i dërguar përmes Kërkesës për Mbrojtje të Ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

Vendimi i Gjykatësit të Departmentit Special, Kushtrim Shyti, sipas mbrojtjës bëhet edhe më i diskutueshëm kur analizohen provat dhe pretendimet që vetë Prokuroria Speciale kishte paraqitur në kërkesën e saj për secilin prej 21 të dyshuarve që kur nisën arrestimet e para për rastin që në publik njihet si “Sky ECC” ose Operacioni “Qielli i thyer”.

Në kërkesën zyrtare të Prokurorisë Speciale (PPS.nr.134/24), Prokurori Fatos Ajvazi i trajtonte të gjithë të dyshuarit si pjesë e një zinxhiri të përbashkët funksional.

Prokurori kishin kërkuar paraburgim për të gjithë pa dallim, duke argumentuar se rreziqet e ikjes, pengimit të hetimeve dhe përsëritjes së veprës penale vlenin njëlloj për secilin prej tyre. Grupi dyshohet se ka operuar duke u shtrirë nga Amerika Latine, Irani dhe Turqia, përmes rrugëve tokësore dhe detare, deri në vendet e Bashkimit Evropian dhe Kosovë.

Referuar provave të vendosura në letër nga Prokurori Special Ajvazi, del që edhe ata që mbetën në paraburgim, edhe ata që u liruan nga Gjykata, kishin rrethana shumë të ngjashme, në dosje.

Kështu Rexhep Nikqi, sipas prokurorisë, dyshohet si pjesë aktive në trafikim, sigurim dhe përzierje të heroinës, duke organizuar transportin e saj dhe duke investuar të ardhura në pasuri, sikurse Arianit Krasniqi që është i dyshuar për përfshirje në kuadër të grupit të organizuar kriminal dhe vepra penale të blerjes e shpërndarjes së narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Abedin Gjakova (i njohur si “Beti”), sipas Prokurorit Ajvazi ishte pjesë e grupit si personi që ka testuar pastërtinë e heroinës, ka përcaktuar sasinë e përzierësve dhe ka transportuar para e narkotikë, ndërsa përdorte edhe identitetin Albert Gjakova.

Ragip Bislimi (i njohur si “Gipa”) për PSRK-në është personi i identifikuar si një nga investitorët kryesorë që kontraktonte sasi narkotiku nga rrjetet kurde dhe turke, duke përdorur identitete të shumta alternative (Bajram Dibrani, Robert Zefi, Turan Sulejmanoski) për t’i ikur drejtësisë.

Prokuroria pëër Armend Ismajli, i liruar me dorëzani, thotë përdorte dy automjete (“Passat” dhe “VË Transporter”) të pajisura me bunkerë të posaçëm për fshehjen e narkotikëve, duke u lidhur ngushtë me rastin e sekuestrimit të 7 kg heroinë në Kullë. Gjyqtari e liroi me 10 mijë euro, me arsyetimin se nuk kishte përdorur vetë identitete të rreme.

Rifat Vuçetaj është i dyshuar për pjesëmarrje në grupin e organizuar kriminal, sigurim dhe transport të substancave narkotike, derisa Erduan Ismaili mbetët i dyshuar për koordinim të dërgesave ndërkombëtare të heroinës nga Irani dhe Turqia drejt vendeve evropiane, si dhe për përdorim të lidhjeve për shmangie të zbulimit.

Shemsi Bahtiri sipas PSRK-së është i dyshuar për përfshirje në shpërndarje, transportim të parave të paligjshme dhe fshehje të pasurisë e Andi Vokshi është pjesë e hetimeve të zgjeruara për veprat penale të grupit të organizuar kriminal dhe trafikimit të narkotikëve.

PSRK-ja në dosje thotë se Blerim Sharapolli (i njohur si “Blleki”) është I dyshuar për trafikim të marihuanës dhe heroinës përmes kamionëve dhe automjeteve me hapësira të fshehta (bunkerë) drejt shteteve evropiane, ngjashëm sikurse Armend Ismajli, i liruar me dorëzani

Elez Elezi është  i dyshuar për përfshirje direkte në logjistikën e grupit kriminal dhe qarkullimin e mjeteve financiare të përfituara nga krimi.

Roland Beqiri, përveç narkotikëve, prokuroria e lidhte edhe me vepra të rënda të dhunës, përfshirë rrëmbimin dhe keqtrajtimin e një personi, duke përdorur edhe identitetin Kushtrim Pllunci.

Avni Rekaliu sipas PSRK-së është  i dyshuar për shtrirje të gjërë të trafikut të marihuanës, heroinës dhe kokainës nga Amerika Latine dhe Evropa, si dhe ndërmjetësim në dokumente të falsifikuara.

Edin Berisha (I liruar me dorëzani) dyshohet për transport kokaine drejt Baselit në Zvicër dhe kontejnerë drejt Antverpenit. Gjyqtari e liroi me 10 mijë euro me arsyetimin se veprimet i takonin vitit 2020 dhe mungonte rreziku aktual.

Ardijan Mazrekaj është I dyshuar që nga fillimi i hetimeve për bashkëpunim në trafikim ndërkombëtar dhe pastrim parash derisa Kurbin Dezdari është idyshuar për trafikim të heroinës dhe kokainës nga Irani e Turqia përmes vendeve të rajonit, ndërsa ndaj tij hetimet u zgjeruan edhe për armëmbajtje pa leje.

Në dosje Onur Vizdik është i dyshuar si përgjegjës për pranimin, ruajtjen, përzierjen dhe ripaketimin e heroinës në shtëpinë e tij pas mbërritjes në Kosovë.

Lorik Tigani, i liruar me dorëzani, sipas PSRK-së, kishte rolin e ngjashëm me me atë të Vizdikut – pranimi, përzierja dhe paketimi i heroinës së ardhur nga Turqia duke përdorur pajisje matëse e vakumuese. Megjithatë, ndryshe nga Vizdiku që mbeti në qeli, Tigani u lirua me 10 mijë euro dorëzani.

Kenan Brovina dyshohet për për pranimin e heroinës në Stamboll dhe fshehjen e saj në reflektorë për t’u dërguar përmes kamionëve tregtarë derisa Kahraman Aksoy është i dyshuar për bashkëpunim në rrjetin e organizuar për trafikimin e substancave narkotike dhe fshehjen e pasurisë.

Ylli Musliu & Safet Ljajic janë  të dyshuar për lehtësim të komunikimeve të koduara, përcjellje informatave dhe trafikim ndërkombëtar të narkotikëve e kokainës nga Kolumbia.

Pretendimet e mbrojtjes për “Standarde të Dyfishta” në Apel dhe Supreme

Sipas dosjes së prokurorisë, Lorik Tigani përdorte PIN-kodin e tij në “SkyECC” për pranimin, përzierjen, përpunimin dhe ripaketimin e heroinës së ardhur nga Turqia në Kosovë, duke përdorur pajisje matëse dhe vakumuese.  

Këtë rol në të njëjtën hallkë të përpunimit të drogës e kishte edhe Onur Vizdik, të cilin prokuroria e akuzonte se ishte përgjegjës për pranimin e heroinës nga Stambolli, ruajtjen, përzierjen dhe ripaketimin e saj – madje duke përdorur shtëpinë e tij si ambient përpunimi. Përkundër këtij roli tekniksisht identik, Tigani u la i lirë me 10,000 euro dorëzani, kurse Vizdiku mbeti në qeli.  

Blerim Sharapollin (“Blleki”), i cili akuzohej nga prokuroria për trafikim të narkotikëve përmes kamionëve dhe automjeteve të pajisura me hapësira të fshehta (bunkerë) drejt shteteve evropiane, ka profilin e ngjashëm e kishte edhe Armend Ismajli, i cili përdorimin e automjeteve “Passat” dhe “VË Transporter” të modifikuara enkas me bunkerë e kishte bazë të akuzës. Ngjashmëri të afërt transportuesi kishte edhe Ragip Bislimi (“Gipa”), i cili angazhonte kamionë dhe mjete për transportimin e sasive të mëdha nga Stambolli. Megjithatë, ndërsa Ismajli u lirua me arsyetimin se dokumentet e identiteteve të rreme në adresën e tij nuk i përkisnin atij personalisht, Sharapolli dhe Bislimi u lanë në paraburgim.  

Edin Berisha u lirua me dorëzani pavarësisht akuzave për organizimin e dërgesave dhe trafikimin e kokainës drejt Baselit në Zvicër dhe përmes kontejnerëve drejt portit të Antverpenit, duke u arsyetuar se veprimet i kishin takuar vitit 2020 dhe mungonte rreziku aktual.  Këtë shtrirje ndërkombëtare të trafikut dhe rrjeteve të ngjashme e ndante drejtpërdrejt me Abedin Gjakovën (“Beti”) dhe Avni Rekaliun, të cilët gjithashtu menaxhonin dërgesa ndërkufitare dhe qarkullim parash. Përkundër periudhave të ngjashme të komunikimeve historike në “SkyECC”, Berisha fitoi lirinë me kusht pasuror, kurse Gjakova dhe të tjerët u mbajtën në qeli me arsyetimin e “rrezikshmërisë së lartë”.  

Në ankesat e ushtruara fillimisht në Gjykatën e Apelit, e më pas edhe në Kërkesën për Mbrojtje të Ligjshmërisë të depozituar në Gjykatën Supreme nga mbrojtja e njërit prej të dyshuarve që mbeti në paraburgim argumenti kryesor rrotullohet rreth shkeljes së parimit të trajtimit të barabartë dhe mungesës së individualizimit të drejtë të rreziqeve procedurale.

Mbrojtja argumenton se për tre të liruarit (Armend Ismajli, Edin Berisha dhe Lorik Tigani), gjyqtari Shyti kërkoi rrethana strikte aktuale dhe provë të drejtpërdrejtë se ata përbënin rrezik në momentin e vendosjes, duke arsyetuar p.sh. se veprimet e Edin Berishës i takonin vitit 2020 ose se dokumentet e rreme nuk përkisnin personalisht Armend Ismajlit. Ndërkohë, për të pandehurit e tjerë si Abedin Gjakova apo Onur Vizdik, të njëjtat raporte dhe komunikime historike të “SkyECC” u përdorën automatikisht për të arsyetuar paraburgimin, pa u ofruar një arsyetim se pse masat alternative, si arresti shtëpiak apo dorëzania, nuk do të vlenin njëlloj edhe për ta.

Sipas kërkesës në Supreme, vetë fakti që gjykata gjeti se dorëzania prej 10,000 eurosh ishte e mjaftueshme për të garantuar prezencën e tre të pandehurve, por refuzoi çdo lloj mase më të butë për të tjerët pa dhënë arsye bindëse se pse rreziku i tyre nuk mund të neutralizohet në të njëjtën mënyrë, përbën shkelje flagrante të neneve 171 dhe 184 të Kodit të Procedurës Penale.

Mbrojtja ka ngritur gjithashtu shqetësimin se vendimi i shkallës së parë ka kundërthënie të hapura mes arsyetimit e ku gjyqtari shprehet se e ka kufizuar vazhdimin e paraburgimit në një muaj dhe dispozitivit ku masa vazhdon për dy muaj, lëshim ky që nuk u sanua as nga Gjykata e Apelit.

Përkundër interesimit të Gazetës Insajderi për të i sqaruar këto dyshime të ngritura nga mbrojtja, dhe pyetjeve zyrtare të dërguara si në adresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ashtu edhe gjyqtarit të procedurës paraprake, Kushtrim Shyti, deri në publikimin e këtij shkrimi nuk është kthyer asnjë përgjigje apo sqarim.

Insajderi e ka pyetur edhe Prokurorin e Rastit, Fatos Ajvazi për të njëjtat dilema, dhe se nëse në rastin konkret ka nën hetime edhe persona nga institucionet ligj-zbatuese, por përgjigja e marrë nga Zyra për Informim e PSRK-së ishte se “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës nuk komenton vendimet e gjykatave”.

Arbnora Luta, zyrtare për komunikim në PSRK i ka thënë Insajderit se ‘arsyet lidhur me rastin, Prokuroria Speciale, i ka paraqitur si në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, ashtu edhe në ankesën e parashtruar në Gjykatë.

Derisa për pyetjen direkte se a po hetohet ndonjë zyrtarë nga institucionet ligj-zbatuese për rastin SKY ECC, Luta ka thënë se  “PSRK-ja, është duke i zhvilluar hetimet në mënyrë të papenguar dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”.

Qielli i thyer” (ose Sky ECC) është një nga hetimet më të mëdha të historisë së fushës së zbatimit të ligjit kundër krimit të organizuar globalisht.

Ky operacion filloi pasi agjencitë e zbatimit të ligjit dhe autoritetet gjyqësore nga Franca, Belgjika dhe Holanda, pas një hetimi të gjatë, arritën të depërtojnë dhe të sekuestrojnë serverët e kompanisë “Sky Global”, e cila ofronte pajisje dhe shërbime të enkriptuara të komunikimit përmes aplikacionit “SkyECC”.

Kjo platformë përdorej ekskluzivisht nga strukturat e errëta të krimit të organizuar ndërkombëtar, trafikantët e drogës dhe grupet kriminale për të koordinuar vrasjet, transportin e sasive masive të kokainës, heroinës e marihuanës, si dhe pastrimin e miliona eurove, duke besuar se mesazhet e tyre ishin plotësisht të sigurta dhe të paaksesueshme për organet e rendit.

Dekriptimi i miliona mesazheve, fotove dhe dokumenteve të kësaj platforme nga ana e autoriteteve evropiane dhe agjencisë EUROPOL lëshoi një alarm global dhe u shtri në kuadër të operacioneve të pëashkëta si “Ëhite Star”, duke përfshirë në hetime edhe institucionet e Kosovës përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Përmes analizimit të këtyre transkripteve të siguruara nga shtetet perëndimore, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale arritën të gjurmojnë komunikimet e brendshme dhe të lidhin të dyshuarit lokalë me rrjetet ndërkombëtare të trafikut nga Amerika Latine, Irani dhe Turqia drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ky rast, që tashmë ka shënuar dhjetëra të arrestuar dhe dosje voluminoze në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, derisa pritet që PSRK të bëjë publike edhe zgjerim të hetimeve për persona të tjerë.

Pas publikimit të tekstit nga Gjykata Themelore në Prishtinë ka arritur kjo përgjigje:

“Në përgjigje të kërkesës suaj për informim lidhur me aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, PPS.Pr.nr.50/2024, të datës 02.09.2026, ju njoftojmë se vendimi është marrë në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të rrethanave të çështjes.

Ju njoftojmë gjithashtu se aktvendimi në fjalë i është nënshtruar shqyrtimit nga Gjykata e Apelit e Kosovës, e cila, me aktvendimin PN.1.S.nr.259/2026, të datës 17.09.2026, ka refuzuar si të pabazuara ankesat e paraqitura nga Prokuroria Speciale dhe mbrojtësit e të pandehurve, duke vërtetuar aktvendimin e Gjykatës së shkallës së parë.

Duke pasur parasysh se çështja penale është ende në fazën e hetimeve, si dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të procedurës, Gjykata përmbahet nga komentimi i mëtejshëm i çështjes, përtej asaj që është pasqyruar në vendimet gjyqësore”.

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark