Insajderi
Hulumtime/Analiza

Dosja e Prokurorisë: ‘PO Petrol’ dyshohet se deklaroi 7.18 milionë litra ujë si naftë

Insajderi
21 October 2026 - 11:59
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dosja e Prokurorisë: ‘PO Petrol’ dyshohet se deklaroi 7.18 milionë litra ujë si naftë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Insajderi ka siguruar aktakuzën në të cilën përshkruhet skema e dyshuar me autobota të modifikuara për transportimin e derivateve. Sipas Prokurorisë, dëmi ndaj buxhetit të Kosovës nga kjo veprimtari arrin në rreth 4.64 milionë euro.

Fariz Mazrek dhe biznesi i tij “PO Petrol Fariz” përmenden në aktakuzën që lidhet me dyshimet për mashtrim me derivate të naftës dhe shmangie tatimi.

Sipas aktakuzës që ka siguruar Insajderi, Fariz Mazrek është pronar i biznesit “Fariz Mazrek B.I. – PO Petrol Fariz”, ndërsa Faruk Mazrek përshkruhet si person i autorizuar dhe si drejtues i dyshuar i grupit.

Prokuroria pretendon se, nga janari i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2025, në kuadër të kësaj veprimtarie janë përdorur autobota të modifikuara, me të cilat dyshohet se është bërë manipulimi i sasisë së derivateve të deklaruara.

Sipas Prokurorisë, autobotat ishin përshtatur për të transportuar ujë në ndarje të veçanta, ndërsa mostrat e marra gjatë kontrolleve doganore nuk e pasqyronin përmbajtjen e plotë të mjeteve transportuese.

Sipas aktakuzës, në disa raste autobotat ishin të mbushura kryesisht me ujë, ndërsa kontrollet dhe marrja e mostrave bëheshin në pjesët ku kishte derivate. Prokuroria thotë se kjo mënyrë e veprimit mundësonte që sasi të mëdha uji të paraqiteshin në dokumentacion si derivate të naftës.

Një nga rastet e përshkruara në aktakuzë lidhet me një kontroll doganor të 14 qershorit 2024. Sipas aktakuzës, në tetë komorat e një autoboti është konstatuar prania e ujit në masën 93.48 për qind, ndërsa shtatë prej tyre ishin të mbushura me ujë.

Në deklarimet tatimore, sipas Prokurorisë, janë paraqitur si naftë 7,180,050.50 litra ujë.

Prokuroria thotë se nga veprimet e përshkruara në këtë pjesë të aktakuzës, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm prej 4,637,893.69 eurosh.

Në këtë rast, Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave: Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Korab Visoka, Fatmir Visoka, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina, Gazmend Quni dhe Sasivar Mazerek.

Nëntë prej tyre ishin arrestuar në aksionin e 1 korrikut 2026: Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmend Quni. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark