Nën sloganin “Brezi Z merr drejtimin”, nisma “Gen Z” ka njoftuar organizimin e protestave në Gjermani më 31 tetor, ndërsa policia gjermane ka nisur përgatitjet për operacione në shkallë të gjerë, duke marrë parasysh edhe mundësinë e përplasjeve të dhunshme.
Protestat pritet të mbahen në të paktën 21 qytete të mëdha të vendit. Ndër çështjet kryesore që pritet të ngrihen nga protestuesit janë arsimi, kostoja e jetesës dhe kundërshtimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Bashkëthemeluesi i nismës, Akram Zelo, ka deklaruar se organizatorët distancohen nga çdo formë dhune, duke theksuar përgjegjësinë për të garantuar zhvillimin paqësor të tubimeve.
“Distancohemi plotësisht nga çdo formë dhune”, deklaroi Zelo. Ai shtoi se personat që njoftojnë autoritetet për organizimin e protestave në qytetet përkatëse janë gjithashtu përgjegjës për garantimin e mbarëvajtjes paqësore të tyre.
Ndërkohë, kreu federal i Sindikatës së Policisë Gjermane (GdP), Jochen Kopelke, ka shprehur shqetësimin për situatën në një prononcim për gazetën BILD, duke theksuar se Gjermania duhet ta marrë seriozisht zhvillimin e ngjarjeve, të cilat i cilësoi si të paparashikueshme.
“Ajo që po më tregojnë aktualisht njësitë e policisë është se është e pamundur të kuptohet realisht se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Kopelke.
Ai gjithashtu tha se raportimet nga kolegët e tij në Francë janë shqetësuese, duke iu referuar përplasjeve të fundit në rrugët franceze.
“Është shumë e trishtueshme ajo që më thonë kolegët e mi në Francë. Bëhet fjalë për luftime në rrugë. Historia e Gjermanisë tregon se edhe ne i kemi përjetuar këto situata. Nuk është e pamundur që ato të ndodhin edhe në Gjermani, dhe këtë e dimë nga e kaluara”, theksoi ai.