Insajderi
Analiza

Dosja e naftëtarëve që mashtruan shtetin me miliona euro| Skender Kelmendi i “Eurokos”-it tentoi të fuste në qarkullim dy euroshe të falsifikuara

Insajderi
22 October 2026 - 15:58
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dosja e naftëtarëve që mashtruan shtetin me miliona euro| Skender Kelmendi i “Eurokos”-it tentoi të fuste në qarkullim dy euroshe të falsifikuara
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Skender Kelmendi, pronar i pompës së derivateve “EuroKos”, dyshohet se kishte mbajtur në biznesin e tij në Shtime 143 monedha të falsifikuara nga dy euro dhe tri monedha nga një euro, me qëllim që t’i fuste në qarkullim si para të vërteta.

Sipas aktakuzës, monedhat janë gjetur më 1 korrik 2026, në pompën “EuroKos”, në rrugën magjistrale Shtime–Lipjan. Ekspertiza e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë ka konstatuar se ato nuk ishin prodhuar sipas teknologjisë standarde dhe se bëhej fjalë për falsifikim të plotë.

Raporti i ekspertizës përshkruan cilësi të dobët të stampimit të dizajnit, hartës, yjeve, vlerës numerike dhe karaktereve në rrethin e monedhave.

Prokuroria Speciale e Kosovës vlerëson se pretendimet për këtë vepër penale mbështeten në provat e sekuestrimit dhe në ekspertizën e forenzikës. Kelmendi akuzohet për falsifikim të parasë, vepër e paraparë në nenin 296, paragrafi 2, të Kodit Penal të Kosovës.

Rasti i tij është pjesë e dosjes më të gjerë ndaj disa personave të lidhur me biznese të tregtimit të derivateve, ku Prokuroria pretendon se, gjatë periudhës 2021–2025, janë përdorur fatura fiktive dhe deklarime të rreme tatimore për të fshehur të hyra dhe për të mashtruar shtetin me miliona euro.

Sipas aktakuzës, në këtë skemë dyshohet se janë përfshirë biznese si “PO Petrol Fariz”, “Saso Group”, “Standard Petrol” dhe subjekte të tjera. Hetimet përfshijnë pretendime për shitje të padeklaruara, fatura fiktive dhe deklarime tatimore që nuk përputheshin me aktivitetin real të disa bizneseve.

Në dosje përmenden edhe transaksione me para të gatshme në vlerë prej miliona eurosh, të depozituara në llogarinë e “Gega Oil Group” në Shqipëri si pagesa për derivate nga “PO Petrol Fariz”. Sipas materialeve të përshkruara në aktakuzë, këto depozitime janë trajtuar nga Administrata Tatimore e Kosovës si të hyra të padeklaruara. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark