Shefi i deputetëve të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër retorikën nacionaliste ndaj Kosovës, e cila po rikthehet në diskursin e partive politike në Serbi në prag të zgjedhjeve të parakohshme të 25 tetorit.
Gjatë fushatës parazgjedhore, Kosova është përmendur në shumë tubime politike në Serbi.
Tahiri e ka cilësuar këtë qasje si antidemokratike, duke theksuar se një retorikë e tillë bie ndesh me vlerat demokratike dhe synimet evropiane.
“Retorika politike dhe elektorale në Serbi, si nga partitë në pushtet, e edhe nga ato në opozitë, ndaj Kosovës, jo vetëm që është antidemokratike dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe synimet evropiane që ky shtet pretendon ti ketë, por është edhe një gënjeshtër dhe një mashtrim i hapur ndaj elektoratit në Serbi. Pse? Kosova është e lirë që nga 12 qershori 1999. Që nga ajo ditë, regjimi i Millosheviqit dhe makineria e tij shtypëse u dëbuan nga Kosova. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë, duke u bërë shtet i pavarur, i njohur nga shumë shtete të botës. Në korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se një fushatë e tillë duhet të ndalet.
“Prandaj, boll më me manipulime, boll më me mashtrime elektorale dhe me retorikë nacionaliste! E vërteta nuk ndryshon sipas interesave të partive politike dhe as sipas fushatave elektorale. Kosova është e lirë. Kosova është e pavarur. Dhe realiteti i saj shtetëror nuk mund të zhbëhet me propagandë politike.”, ka thënë ai.