Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndryshojë asnjë dispozitë të një ligji që Presidentja e ka kthyer për rishqyrtim, duke theksuar se ai duhet të votohet në të njëjtin tekst në të cilin është miratuar fillimisht.
Në një intervistë për Paparacin, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka rikujtuar se për këtë çështje ekziston një standard kushtetues i vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në rastin e vetos së ish-Presidentes Atifete Jahjaga lidhur me Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas Hasanit, vetoja presidenciale është një instrument i kontrollit kushtetues mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi dhe nuk mund të përdoret si mjet për ndryshimin apo plotësimin e përmbajtjes së tyre.
Ai ka theksuar se gjatë procedurës së rishqyrtimit, Kuvendi nuk mund të nisë një procedurë të re legjislative për ta ndryshuar ligjin, por duhet të vendosë nëse do ta miratojë sërish në formën e mëparshme.
Hasani ka sqaruar se, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës, për miratimin e ligjit të kthyer kërkohen të paktën 61 vota të deputetëve.
Nëse ligji merr 61 vota, vetoja presidenciale tejkalohet dhe ligji konsiderohet i shpallur. Në të kundërtën, nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme, ligji nuk miratohet.
Sipas tij, në rast se Kuvendi synon të ndryshojë përmbajtjen e ligjit, kjo mund të bëhet vetëm përmes një procedure të re legjislative dhe jo duke ndërhyrë në tekstin e ligjit të kthyer nga Presidentja.
PDK kërkoi rikthimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar të enjten Presidentes Justina Shiroka-Pula që ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një njoftim për media, PDK-ja ka deklaruar se kthimi i ligjit do të mundësonte “plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit”.
“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Ndërkaq, Presidenca ka bërë të ditur se Shiroka-Pula e ka pranuar propozimin zyrtar të PDK-së për rishqyrtimin e ligjit, veçanërisht të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave.
Intervista e plotë e Enver Hasanit për Paparacin
Paparaci: A mund ta ndryshojë Kuvendi tekstin e një ligji që Presidentja e ka kthyer për rishqyrtim?
Enver Hasani: Në rastin e një ligji të kthyer nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Kuvend, nuk mund të ndryshohet asnjë dispozitë e tij. Asnjë presje nuk mund t’i shtohet apo t’i hiqet tekstit të ligjit të miratuar më parë.
Për këtë çështje ekziston një standard kushtetues i vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në rastin e vetos së ish-Presidentes Atifete Jahjaga, lidhur me Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kam qenë Kryetar i Gjykatës Kushtetuese kur është vendosur ai rast dhe e njoh mirë arsyetimin juridik të tij.
Gjykata ka bërë dallimin ndërmjet iniciativës legjislative dhe vetos presidenciale. Fakti që Presidenti i Republikës gëzon të drejtën e iniciativës legjislative nuk nënkupton se këtë kompetencë mund ta ushtrojë përmes vetos. Vetoja presidenciale është instrument i kontrollit kushtetues mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi dhe jo mjet për ndryshimin apo plotësimin e përmbajtjes së tyre. Ajo ushtrohet kur Presidenti konsideron se ligji cenon interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një apo më shumë komuniteteve të saj.
Prandaj, kur një ligj kthehet nga Presidenti, Kuvendi nuk zhvillon një procedurë të re legjislative për ta ndryshuar apo plotësuar atë. Në procedurën e rishqyrtimit, Kuvendi vendos nëse do ta miratojë sërish ligjin në tekstin në të cilin është miratuar fillimisht.
Paparaci: Çfarë procedure duhet të ndjekë Kuvendi për ta miratuar ligjin e kthyer nga Presidentja dhe çfarë ndodh nëse nuk sigurohen 61 votat e nevojshme?
Enver Hasani: Në këtë procedurë votohet raporti përkatës i Komisionit për Legjislacion, ndërsa për miratimin e ligjit të kthyer kërkohet shumica e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht të paktën 61 vota, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës.
Nëse sigurohen 61 vota, vetoja presidenciale tejkalohet dhe ligji konsiderohet i shpallur. Nëse nuk sigurohen 61 vota, ligji nuk miratohet dhe procedura përfundon pa ligj.
Nëse Kuvendi dëshiron ta ndryshojë përmbajtjen e ligjit, këtë mund ta bëjë përmes një procedure të re legjislative, por jo duke ndërhyrë në tekstin e ligjit të kthyer nga Presidenti.
Ky është dallimi themelor kushtetues ndërmjet rishqyrtimit të ligjit pas vetos presidenciale dhe ushtrimit të zakonshëm të funksionit legjislativ të Kuvendit.
Paparaci: Ka zëra që thonë se rishqyrtimi i ligjit, me kërkesë të Presidentit të Republikës, të shprehur përmes vetos presidenciale, nënkupton edhe të drejtën e Kuvendit për ta amendamentuar ligjin. A është i saktë një interpretim i tillë?
Enver Hasani: Asnjëherë! Si mund të ketë amendamentim të një ligji që tashmë ka kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit parlamentar, është miratuar nga Kuvendi dhe ka mbetur vetëm pa shpalljen presidenciale?
Duhet të bëhet një dallim i qartë ndërmjet procedurës së zakonshme legjislative dhe procedurës së rishqyrtimit të ligjit pas vetos presidenciale. Këto janë dy procedura juridikisht të ndryshme, me qëllime dhe pasoja të ndryshme kushtetuese.
Vetoja presidenciale nuk e rikthen ligjin në procedurën e zakonshme legjislative dhe nuk e autorizon Kuvendin ta rihapë procesin e amendamentimit. Ajo i jep Kuvendit mundësinë të vendosë nëse do ta konfirmojë ligjin që tashmë e ka miratuar.
Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit bëhen përmes një procedure tjetër legjislative, të përcaktuar me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit.
Çdo përpjekje për ta shfrytëzuar veton presidenciale si mundësi për amendamentimin e ligjit do të përbënte keqpërdorim të procedurës kushtetuese dhe tejkalim të kufijve të pushtetit legjislativ. Një praktikë e tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen, duke e shndërruar një mekanizëm të kontrollit kushtetues në instrument për rihapjen e procesit legjislativ.
Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas nevojave të momentit. Rregullat kushtetuese vlejnë njësoj për çdo përbërje parlamentare dhe për çdo President të Republikës.