Lëvizja Vetëvendosje ka arritur dakordim në parim për shpalljen e procesit të zgjedhjeve të brendshme partiake.
Kjo u bë e ditur përmes një postimi të VV-së, pas një mbledhjeje të mbajtur sonte në zyrën qendrore të partisë, ku morën pjesë kryetari i saj, Albin Kurti, Sekretari Organizativ, Alim Rama, Koordinatori i Qendrave, Salih Zyba, anëtarë të Kryesisë Qendrore dhe drejtues të Qendrave në Kosovë e në mërgatë.
Sipas njoftimit, në takim u diskutua për situatën aktuale politike, zhvillimet institucionale, prioritetet e qeverisjes dhe angazhimet politike e organizative të partisë.
Një pjesë e rëndësishme e mbledhjes iu kushtua zgjedhjeve të brendshme, të cilat, sipas VV-së, synojnë ripërtëritjen dhe fuqizimin e strukturave partiake.
“Pas diskutimeve me drejtuesit e Qendrave dhe anëtarët e Kryesisë, në parim u arrit dakordim për shpalljen e procesit të zgjedhjeve të brendshme”, thuhet në njoftimin e partisë.
VV-ja ka theksuar se përmes këtij procesi synon të zgjerojë pjesëmarrjen e anëtarësisë, të avancojë kuadrot dhe të forcojë organizimin në nivel lokal.