Lista Studentore pritet të dalë fituese e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, me një epërsi të konsiderueshme ndaj listës së presidentit Aleksandar Vuçiq, sipas projeksioneve të para të publikuara nga Ipsos dhe CeSID.
Të dhënat e transmetuara nga televizioni serb N1 tregojnë se Lista Studentore ka siguruar 52 për qind të votave, ndërsa lista e Vuçiqit ka marrë 39,3 për qind.
Sipas këtyre parashikimeve, studentët pritet të kenë 138 ulëse në Parlamentin e Serbisë, përballë 104 deputetëve që do t’i takonin listës së presidentit serb.
Nëse këto rezultate konfirmohen, Lista Studentore do ta kalonte shumicën prej 126 deputetësh, duke pasur mundësi ta formojë qeverinë pa pasur nevojë për partnerë koalicioni.
Megjithatë, bëhet fjalë për projeksione fillestare dhe jo për rezultate përfundimtare të zgjedhjeve.