Insajderi
Lajme

Çitaku kërkon llogaridhënie pas vrasjes së Arlindës: Tetë gra të vrara këtë vit

Insajderi
26 October 2026 - 08:29
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Çitaku kërkon llogaridhënie pas vrasjes së Arlindës: Tetë gra të vrara këtë vit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj, duke kërkuar llogaridhënie dhe përgjegjësi nga institucionet.

Çitaku ka kritikuar institucionet për dështimin në mbrojtjen e grave që ndodhen në rrezik, duke theksuar se Arlinda është gruaja e tetë që vritet në Kosovë gjatë këtij viti.

Ajo ka kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve që kishin për detyrë ta mbronin viktimën, si dhe një shqyrtim të hollësishëm të rolit dhe veprimeve të secilit në zinxhirin institucional të përgjegjësisë.

Sipas Çitakut, ligjet, strategjitë dhe aktivitetet për ndërgjegjësimin e qytetarëve nuk kanë vlerë nëse nuk shoqërohen me masa konkrete për mbrojtjen e grave dhe me pasoja për zyrtarët që nuk i përmbushin detyrat e tyre.

Ajo ka kërkuar që institucionet të sqarojnë rrethanat në të cilat ndodhi rasti, të identifikojnë përgjegjësit dhe të bëjnë të ditur se cilat masa do të ndërmerren.

“Nuk mjaftojnë më deklaratat e ngushëllimit. Nuk mjaftojnë zotimet se do të bëhet më shumë. Duhet të dimë çfarë ndodhi, kush nuk e kreu detyrën dhe çfarë pasojash do të ketë”, ka deklaruar Çitaku.

Në reagimin e saj, ajo ka shprehur dhimbje për vrasjen e Arlindës dhe për familjen e saj, duke kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për këtë rast tragjik.

“Jeta e një gruaje nuk mund të jetë çmimi i indiferencës, neglizhencës apo dështimit institucional”, ka theksuar Çitaku.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark