Insajderi
Lajme

Shtatë orë në SPAK për Aeroportin e Vlorës: Çka pretendon Behgjet Pacolli?

Insajderi
26 October 2026 - 18:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Shtatë orë në SPAK për Aeroportin e Vlorës: Çka pretendon Behgjet Pacolli?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Biznesmeni, Behgjet Pacolli ka njoftuar se është paraqitur për rreth shtatë orë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri, ku, siç pretendon ai, ka dhënë dëshmi dhe ka paraqitur dokumente lidhur me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka pretenduar se në këtë projekt kanë ndodhur ndërhyrje të paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfillje e vendimeve gjyqësore dhe cenim i pronës private.

“Sot pata mundësinë të paraqitesha për rreth 7 orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku paraqita në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka pohuar se para prokurorëve ka paraqitur atë që e konsideron të vërtetën e plotë për zhvillimet rreth pronësisë së aeroportit.

“Nuk e kam humbur shpresën se në Shqipëri po bëhet drejtësi. Besoj se institucionet e drejtësisë do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe do të garantojnë respektimin e ligjit”, ka shkruar ai.

Në fund, Pacolli ka paralajmëruar vazhdimin e bashkëpunimit me SPAK-un dhe institucionet e tjera kompetente për sqarimin e çështjes dhe mbrojtjen e të drejtave që pretendon.

“Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave duhet të respektohen”, ka përfunduar Pacolli.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark