Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Osman Musliu, e ka nisur fjalimin e tij të parë në Kuvendin e Kosovës me një reagim për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Musliu ka thënë se kishte shpresuar që paraqitjen e parë në Kuvend ta niste me ndonjë lajm të mirë për Kosovën, e jo me një tragjedi të tillë.
Gjatë fjalimit, ai ka kritikuar mentalitetin që gratë vazhdojnë të trajtohen si pronë nga bashkëshortët, në vend që të konsiderohen partnere dhe shoqe të jetës.
“Ajo nuk është pronë, është dashuria, bashkëshortja, nëna e fëmijëve tanë. Disa burra, bashkëshorten ende e shohin si pronë, jo si shoqe të jetës”, ka deklaruar Musliu në Kuvend.
Ai ka theksuar se nëse gratë nuk ndihen të lira në familje, në rrugë dhe në vendin e punës, atëherë shoqëria ende nuk e ka kuptuar përgjegjësinë që ka ndaj tyre.

“Me ndryshu mentalitetin, duhet ta dimë se ky mentalitet fillon me ndryshu në familje, në shkolla, në kisha, xhamia, në punë, kudo”, ka thënë ai.
Në fjalimin e tij, deputeti i VV-së ka përmendur edhe jetën e profetit Muhamed, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëshortes si shoqe dhe mbështetje në jetë.
“Pejgamberi herën e parë kur ka qajtë, dhe e ka quajtur viti i dëshpërimit, ka qenë viti kur i ka vdekur bashkëshortja. Ai ka thënë: ka qenë shoku më i ngushtë i jetës”, ka theksuar Musliu.