Vera e nxehtë e vitit 2026 në Evropë i kushtoi jetën rreth 50.000 njerëzve, sipas vlerësimeve të studiuesve britanikë, duke u bërë kështu vera më vdekjeprurëse e regjistruar deri më sot. Pothuajse dy të tretat e viktimave (65 për qind), sipas studiuesve, lidhen drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike.
Për studimin, studiues nga Imperial Grantham Institute në Britani dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine matën vdekshmërinë e tepërt të shkaktuar nga temperaturat e larta.
Si bazë u përdorën të dhëna nga 854 zona urbane në 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe nga Britania e Madhe, Norvegjia dhe Zvicra. Në rajonet e analizuara jetojnë rreth 40 për qind e popullsisë së përgjithshme të këtyre 30 vendeve.
Për krahasim, në vitet më të nxehta të regjistruara deri më tani, rreth 29.000 njerëz humbën jetën nga i nxehti në vitin 2022, ndërsa rreth 28.000 në vitin 2003. Më të goditura ishin vendet e Evropës Jugore dhe Perëndimore. Megjithatë, edhe në shtetet tradicionalisht më të freskëta u regjistruan mijëra viktima. Për Britaninë e Madhe, studiuesit vlerësojnë rreth 4.500 vdekje të lidhura me temperaturat e larta.
Për Gjermaninë, edhe Instituti Robert Koch (RKI) në Berlin publikoi në mesin e shtatorit shifra të ngjashme. Sipas tyre, vetëm gjatë kësaj vere në Gjermani kanë humbur jetën nga i nxehti rreth 16.000 njerëz.
Sipas studiuesve britanikë, qershori i vitit 2026 pati pasoja veçanërisht dramatike në Evropë. Sipas vlerësimeve të tyre, pothuajse një e treta e të gjitha vdekjeve të shkaktuara nga të nxehtit u regjistruan në periudhën nga 17 qershori deri më 1 korrik.

Gjatë kësaj kohe, temperaturat ishin mesatarisht pesë gradë Celsius më të larta se mesatarja e periudhës së referencës 1991-2020. Kjo valë e jashtëzakonshme të nxehti konsiderohet si një nga faktorët kryesorë që e bëri verën e vitit 2026 më vdekjeprurësen nga nxehtësia në Evropë që nga fillimi i regjistrimeve.
“Mund të themi me një siguri mjaft të madhe se vera e vitit 2026 ishte më e rënda që nga fillimi i regjistrimeve sa i përket vdekshmërisë së lidhur me të nxehtin në pjesë të mëdha të Evropës”, tha Clair Barnes, studiuese e motit ekstrem dhe ndryshimeve klimatike në Imperial College. “Pas këtyre statistikave fshihen faet e njerëz që kanë humbur jetën dhe familje që vajtojnë humbjen e tyre”, shtoi ajo.
Sipas studiuesve, pasojat e të nxehtit nuk prekën vetëm të moshuarit. Ata vlerësojnë se rreth 6.000 nga 50.000 viktimat e të nxehtit ishin nën moshën 65 vjeç.
“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se qytetet tona janë të papërshtatura ndaj temperaturave në rritje dhe është vendimtare që të forcojmë përpjekjet për t’u përshtatur”, theksoi epidemiologu Pierre Masselot nga London School of Hygiene & Tropical Medicine. “Kjo do të thotë t’i freskojmë qytetet përmes më shumë hapësirave të gjelbra dhe më pak ndotjeje, si dhe të garantojmë kujdesin e nevojshëm mjekësor për popullsinë.” /DW