Policët reagues të Stacionit Policor në Ferizaj kanë parandaluar një veprim të rrezikshëm të një 17-vjeçareje, e cila dyshohet se tentonte të hidhej nga nënkalimi në rrugën “Brahim Ademi”, me qëllim që t’i bënte keq vetes.
Rasti është raportuar sot, rreth orës 10:15. Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë arritur ta parandalojnë veprimin dhe ta largojnë të miturën nga rreziku.
Më pas, ajo është shoqëruar nga policia në Emergjencën e Ferizajt, ku do të merrte ndihmë mjekësore.
Lidhur me rastin është njoftuar Sektori Rajonal i Hetimeve, i cili ka ndërmarrë veprimet e mëtejshme hetimore. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar edhe prokurori i shtetit.
“Policia vlerëson rëndësinë e reagimit me kohë dhe bashkëpunimit për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.