Insajderi
Botë

Vritet një i mitur që sulmoi me thikë rojën para Ambasadës së Izraelit në Beograd

Insajderi
28 October 2026 - 08:36
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Vritet një i mitur që sulmoi me thikë rojën para Ambasadës së Izraelit në Beograd
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një i mitur është vrarë pasi sulmoi një pjesëtar të Xhandarmërisë serbe që po ruante Ambasadën e Izraelit në Beograd, tha Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, sulmuesi iu vërsul sigurimit me dy thika, duke thirrur “Allahu Akbar [Zoti është i madh]”, pas së cilës pjesëtari i Xhandarmërisë serbe përdori armën e zjarrit dhe e vrau.

Ngjarja ndodhi rreth 15 minuta pas mesnatës, të mërkurën, më 28 tetor.

Daçiqi e cilësoi ngjarjen si sulm terrorist dhe tha se i dyshuari më herët kishte qenë nën vëzhgimin e shërbimeve të sigurisë dhe sipas informacioneve të deritanishme, ai ishte përkrahës i grupit terrorist Shteti Islamik.

Pas incidentit, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë e ngriti nivelin e kërcënimit terrorist në shkallën më të lartë, atë të kuqe. Kjo nënkupton shtimin e pranisë policore dhe të kontrolleve në lokacione kyç në mbarë Serbinë.

Autoritetet serbe nuk e kanë bërë ende publik identitetin e sulmuesit dhe as detaje të tjera lidhur me hetimet.

“Dua të përsëris edhe një herë se në sulmin terrorist të kryer sonte, një pjesëtar i Xhandarmërisë, i cili siguronte Ambasadën e Izraelit, u plagos lehtë dhe më pas e neutralizoi sulmuesin. Edhe pse identiteti i tij ende nuk është përcaktuar, shërbimi ynë e kishte mbajtur nën vëzhgim dhe dihet se ishte përkrahës i Shtetit Islamik. Në profilin e tij në Instagram mbante flamurin e zi dhe simbolin e Shtetit Islamik”, tha Ivica Daçiq.

Ambasada e Izraelit në Beograd ka qenë edhe më parë cak i sulmeve. Në qershor të vitit 2024, një sulmues plagosi rëndë me hark me shigjeta një pjesëtar të Xhandarmërisë që ruante Ambasadën, pas së cilës u vra gjatë një ndërhyrjeje policore. /REL


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark