Pas Ozempic-ut, edhe në Kosovë ka marrë vëmendje përdorimi i Mounjaros. Është një injeksion që përdoret për trajtimin e diabetit të tipit 2, por që është bërë i njohur edhe për efektin në humbjen e peshës.
Në rrjete sociale dhe në diskutimet për dobësim, këto barna po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje. Por përdorimi i tyre ngre pyetje për sigurinë shëndetësore, kontrollin institucional dhe mënyrën se si sigurohen në Kosovë.
Sa kushton Mounjaro? A është i regjistruar për qarkullim? Kush e importon? A po përdoret për dobësim pa mbikëqyrjen e mjekut dhe a ka institucioni përgjegjës të dhëna për efektet e tij anësore?
Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shëndetësor. Për rreziqet e përdorimit dhe pasojat e mundshme pas ndërprerjes së trajtimit, Insajderi ka folur edhe me endokrinologun Genc Shala.
Përgjigjet e institucioneve zbulojnë se Mounjaro ka autorizim të përkohshëm për marketing në Kosovë, se importi i tij është evidentuar vetëm gjatë vitit 2026 dhe se çmimi zyrtar me pakicë arrin deri në 555.53 euro, varësisht nga doza.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shëndetësor nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Insajderit për kontrollet, shitjen pa recetë dhe përdorimin e këtij bari për dobësim.
Endokrinologu paralajmëron: Mounjaro nuk duhet përdorur pa rekomandimin e mjekut
Endokrinologu Genc Shala i ka thënë Insajderit se Mounjaro është një bar që përdoret kryesisht për pacientët me diabet të tipit 2.
Ai ka shpjeguar se bari ndikon edhe në uljen e oreksit dhe për këtë arsye përdoret edhe për humbje të peshës.
Sipas Shalës, përdorimi i tij për menaxhimin e peshës lidhet me kritere të caktuara shëndetësore.
“Janë disa kritere për përdorim të tij për humbje peshe, për shembull, pacienti duhet të jetë obez, me indeks të masës trupore (BMI) mbi 30, apo mbipeshë, me BMI mbi 27, dhe të ketë sëmundje të tjera si paradiabet, tension të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës, PMOS, e njohur si sindroma e vezoreve policistike, etj.”, ka shpjeguar ai.
Endokrinologu ka theksuar se bari nuk duhet të përdoret pa rekomandim mjekësor.
Ai ka paralajmëruar se efektet anësore më të zakonshme janë të përzierat, të vjellat dhe lodhja. Megjithatë, sipas tij, në raste më të rralla mund të shfaqen edhe efekte më serioze.
“Efektet anësore zakonisht janë të parrezikshme në shumicën e rasteve, si mundim, vjellje, lodhje, etj., por rrallëherë mund të vijë edhe te efektet anësore të rrezikshme, si rënie e madhe e sheqerit në gjak, kancer të gjëndrës tiroide, gurë në tëmth, dëmtim të veshkave, etj. Prandaj, nuk rekomandohet asnjëherë marrja e Mounjaros pa rekomandim të mjekut”, ka thënë Shala
Ai ka bërë thirrje që ky ilaç të mos përdoret vetëm për të humbur disa kilogramë, pa pasur një arsye të mirëfilltë mjekësore.
“Nuk rekomandohet asnjëherë marrja e Mounjaros apo ilaçeve të ngjashme për humbjen e vetëm disa kilogramëve. Rekomandojmë fuqishëm që të humbin kilogramët e tepërt përmes aktiviteteve fizike/sportive dhe konsumimit të ushqimit të shëndetshëm, gjumit të mjaftueshëm dhe zvogëlimit të kalorive”, ka deklaruar ai.
Një tjetër çështje që ka ngritur endokrinologu është rikthimi i peshës pas përfundimit të trajtimit.
Sipas Shalës, kilogramët e humbur mund të rikthehen brenda disa muajsh, veçanërisht nëse personi kthehet te zakonet e mëparshme të të ushqyerit dhe nuk merret me aktivitete fizike.
“Pas ndërprerjes së përdorimit të Mounjaros, pesha mund të rikthehet shumë shpejt nëse vazhdojmë me stilin e vjetër të jetës, pra duke konsumuar ushqim të pashëndetshëm, duke marrë kalori të tepërta dhe duke mos u marrë me asnjë aktivitet fizik/sportiv. Në këtë rast, kthimi i peshës së mëparshme do të vërehet brenda disa muajve”, ka thënë ai.
Shala ka theksuar se humbja e peshës duhet të shoqërohet me ndryshime të qëndrueshme në stilin e jetesës, në mënyrë që rezultatet të mos jenë vetëm të përkohshme.
Endokrinologu ka dhënë një paralajmërim edhe për gratë që planifikojnë të mbeten shtatzëna.
Sipas tij, gratë që kanë obezitet të lidhur me marrjen e tepërt të kalorive, pa ndonjë sëmundje tjetër që e ka shkaktuar obezitetin, mund ta përdorin Mounjaron, por duhet të shmangin shtatzëninë gjatë trajtimit dhe për dy muaj pas ndërprerjes së tij.
“Gratë që planifikojnë shtatzëni dhe vuajnë nga obeziteti i kalorive të tepërta, pra nuk kanë ndonjë sëmundje tjetër që ka shkaktuar obezitetin, mund ta përdorin Mounjaron, por duhet të ceket se gjatë përdorimit dhe dy muaj pas ndërprerjes së përdorimit nuk bën assesi të mbeten shtatzëna, sepse mund të ketë efekte shumë të dëmshme për fetusin”, ka deklaruar Shala.
Ai ka rekomanduar gjithashtu që çdo pacient ta lexojë fletëudhëzimin e barit para përdorimit.
“Rekomandoj që çdo pacient ta lexojë fletëudhëzimin e çdo bari/ilaçi para përdorimit”, ka thënë endokrinologu.
AKPPM: Mounjaro nuk ka autorizim të rregullt, por ka autorizim të përkohshëm
Insajderi i ka dërguar pyetje Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale lidhur me statusin e Mounjaros në Kosovë, importin, çmimin, inspektimet dhe raportimet për efektet e padëshiruara.
Në përgjigjen e saj, AKPPM ka sqaruar se Mounjaro, me përbërësin aktiv tirzepatid, nuk posedon Certifikatë të Autorizimit për Marketing në Republikën e Kosovës. Megjithatë, produkti është pajisur me Autorizim të Përkohshëm për Marketing.
Sipas Agjencisë, ky autorizim është dhënë në përputhje me dispozitat e Udhëzimit Administrativ (Shëndetësi) Nr. 01/2022, që rregullon thjeshtësimin e procedurave për regjistrimin dhe importin e produkteve medicinale që nuk kanë paralele të autorizuara në Kosovë.
AKPPM ka bërë të ditur se lista e produkteve medicinale me Autorizim të Përkohshëm për Marketing është publikuar në faqen e saj zyrtare.
Pra, mungesa e autorizimit të rregullt për marketing nuk nënkupton automatikisht se importi i Mounjaros është i paligjshëm.
Sipas përgjigjes së Agjencisë, produkti ka një autorizim të veçantë, përmes të cilit mund të realizohet importi në kushte të përcaktuara.
Në pyetjen se sa Mounjaro është importuar në Kosovë gjatë viteve 2025 dhe 2026 dhe cilat kompani janë të autorizuara për importin e tij, AKPPM ka dhënë të dhëna për periudhën e kërkuar.
“Sipas të dhënave të disponueshme, importi i produktit medicinal Mounjaro është realizuar vetëm gjatë vitit 2026, nga subjekti farmaceutik Nini Pharm. Gjatë vitit 2025 nuk është evidentuar import i këtij produkti”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.
AKPPM ka bërë të ditur se sasitë dhe vlera e importit të këtyre produkteve përcaktohen nga vetë Agjencia, në përputhje me Udhëzimin Administrativ.
“Në përputhje me nenin 4, paragrafin 6.3, të Udhëzimit Administrativ (Shëndetësi) Nr. 01/2022, sasitë dhe vlera e importit për produktet përkatëse vlerësohen dhe përcaktohen nga AKPPM, me kufizim deri në 3.000 kuti brenda vitit dhe me vlerë deri në 50.000,00 euro në vit”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.
Në përgjigjen e saj, Agjencia nuk ka dhënë një sasi të saktë të kutive të Mounjaros të importuara gjatë vitit 2026, por ka konfirmuar se importi i evidentuar është realizuar nga Nini Pharm.
Sa kushton Mounjaro në Kosovë?
Për dallim nga shumë produkte që mund të shiten me çmime të ndryshme, çmimet e Mounjaros janë të përfshira në Listën Zyrtare të Çmimeve të Produkteve Medicinale.
AKPPM ka bërë të ditur se çmimet me pakicë, sipas dozave dhe paketimit të paraqitur në listë, janë këto:

Çmimi më i ulët në listën e dërguar nga AKPPM është 252,87 euro për dozën 2,5 mg, ndërsa më i larti është 555,53 euro për dozën 15 mg.
Agjencia ka theksuar se këto çmime janë publikuar në Listën Zyrtare të Çmimeve të Produkteve Medicinale nga Ministria e Shëndetësisë dhe paraqesin çmimet e përcaktuara për shitje me pakicë.
Kush e kontrollon shitjen dhe importin e Mounjaros?
Insajderi e ka pyetur AKPPM-në nëse ka zhvilluar inspektime lidhur me shitjen, importin dhe origjinën e Mounjaros, si dhe nëse janë evidentuar parregullsi apo janë shqiptuar masa.
Në përgjigjen e saj, Agjencia nuk ka dhënë të dhëna konkrete për inspektime të këtij produkti.
Ajo i është referuar Inspektoratit Farmaceutik si institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e importit, qarkullimit, shitjes dhe origjinës së produkteve medicinale.
“Çështjet që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e importit, qarkullimit, shitjes dhe origjinës së produkteve medicinale, si dhe me verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore përkatëse, janë në kompetencë të Inspektoratit Farmaceutik”, thuhet në përgjigjen e AKPPM-së.
Agjencia ka shtuar se për informata konkrete lidhur me inspektimet e zhvilluara, parregullsitë eventuale të evidentuara dhe masat e shqiptuara në lidhje me Mounjaron, duhet të konsultohen të dhënat zyrtare të Inspektoratit Farmaceutik.
Kjo do të thotë se përgjigjja e AKPPM-së nuk konfirmon nëse janë kryer kontrolle të tilla dhe as nëse janë shqiptuar masa ndaj ndonjë subjekti.
Një tjetër pyetje e Insajderit ka të bëjë me raportimet për efekte të padëshiruara, produkte të falsifikuara dhe raste të importit apo shitjes së paautorizuar të Mounjaros në Kosovë.
Për këtë çështje, AKPPM ka dhënë një përgjigje që lidhet me farmakovigjilencën, përkatësisht me raportimin e efekteve të padëshiruara të dyshuara.
“Sa i përket farmakovigjilencës, AKPPM nuk ka pranuar raportime për efekte të padëshiruara të dyshuara të lidhura me përdorimin e produktit medicinal Mounjaro”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.
Në përgjigjen e dërguar, Agjencia nuk ka dhënë të dhëna konkrete për produkte të falsifikuara apo raste të shitjes së paautorizuar të Mounjaros.
Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shëndetësor nuk u përgjigjën
Përveç AKPPM-së, gazeta ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Inspektoratin Shëndetësor.
Ministrisë i është kërkuar të tregojë nëse ka të dhëna për përdorimin e Mounjaros në Kosovë për qëllime dobësimi dhe nëse për përdorimin e tij kërkohet recetë mjekësore.
Insajderi ka pyetur gjithashtu nëse Ministria ka udhëzime apo rregulla të veçanta për përshkrimin dhe përdorimin e këtij bari, veçanërisht kur përdoret për dobësim dhe jo për trajtimin e diabetit.
Ndërkaq, Inspektoratit Shëndetësor i është kërkuar të sqarojë nëse gjatë viteve 2025 dhe 2026 ka kryer inspektime në barnatore, klinika apo institucione të tjera shëndetësore lidhur me shitjen dhe përdorimin e Mounjaros.
Pyetjet kanë përfshirë edhe mundësinë e rasteve të shitjes së këtij bari pa recetë, përdorimit pa mbikëqyrje mjekësore apo furnizimit nga burime të paautorizuara.
Insajderi ka kërkuar të dijë nëse janë evidentuar raste të tilla dhe çfarë masash janë ndërmarrë.
Gjithashtu, nga të dy institucionet është kërkuar informacion nëse kanë pranuar ankesa ose raportime për efekte të padëshiruara, keqpërdorim apo rreziqe shëndetësore që lidhen me përdorimin e Mounjaros për dobësim në Kosovë.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shëndetësor nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Insajderit.