Insajderi
Lajme

Endokrinologu paralajmëron për rreziqet e injeksioni Mounjaro: Mund të shkaktojë efekte serioze anësore

Insajderi
28 October 2026 - 15:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Endokrinologu paralajmëron për rreziqet e injeksioni Mounjaro: Mund të shkaktojë efekte serioze anësore
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Përdorimi i injeksionit Mounjaro për humbje peshe pa rekomandimin e mjekut mund të paraqesë rrezik për shëndetin. Endokrinologu Genc Shala ka paralajmëruar për Insajderin se, përveç efekteve anësore të zakonshme, në raste më të rralla mund të shfaqen edhe komplikime më serioze.

Mounjaro është një bar që përdoret kryesisht për trajtimin e diabetit të tipit 2, por ndikimi i tij në uljen e oreksit ka bërë që të përdoret edhe për menaxhimin e peshës.

Shala ka treguar se efektet anësore më të zakonshme janë të përzierat, të vjellat dhe lodhja. Megjithatë, ai ka theksuar se në raste më të rralla mund të shfaqen edhe probleme më serioze shëndetësore.

“Efektet anësore zakonisht janë të parrezikshme në shumicën e rasteve, si mundim, vjellje, lodhje, etj., por rrallëherë mund të vijë edhe te efektet anësore të rrezikshme, si rënie e madhe e sheqerit në gjak, kancer të gjëndrës tiroide, gurë në tëmth, dëmtim të veshkave, etj. Prandaj, nuk rekomandohet asnjëherë marrja e Mounjaro-s pa rekomandim të mjekut”, ka thënë Shala për Insajderin.

Ai ka theksuar se ky injeksion nuk duhet të përdoret vetëm për të humbur disa kilogramë, pa pasur një arsye të mirëfilltë mjekësore.

Sipas tij, vendimi për përdorimin e barit duhet të merret duke u bazuar në gjendjen shëndetësore të pacientit dhe në kriteret për menaxhimin e peshës.

Shala ka rekomanduar që personat që duan të humbin kilogramët e tepërt të përqendrohen edhe te ndryshimet në stilin e jetesës, përfshirë aktivitetin fizik, ushqimin e shëndetshëm, gjumin e mjaftueshëm dhe zvogëlimin e kalorive.

Ai ka paralajmëruar gjithashtu se pesha e humbur mund të rikthehet pas ndërprerjes së injeksionit, veçanërisht nëse personi kthehet te zakonet e mëparshme të të ushqyerit dhe nuk merret me aktivitet fizik.

Përdorimi i Mounjaro-s, sipas endokrinologut, nuk duhet të bëhet pa vlerësim dhe rekomandim mjekësor.

Lexo edhe:


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark