Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar deputetët që pinë duhan në ambientet e Kuvendit se do të kërkojë ndërhyrjen e Inspektoratit dhe shqiptimin e gjobave për shkelësit e ligjit, raporton Ekonomia Online.
Ajo i ka bërë thirrje deputetëve që ta respektojnë ligjin dhe të japin shembull në zbatimin e tij.
“Mos pini duhan. Përndryshe do të detyrohemi menjëherë që me kërku nga Inspektorati që të vijë në ambientet e Kuvendit dhe të marrin gjoba deputetët të cilët e shkelin ligjin në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Është thirrja e fundit, prandaj ju lutem që të keni parasysh këtë, sepse kjo realisht edhe cenon ndoshta zbatimin e barabartë të ligjit, sepse nëse ne kërkojmë nga dikush tjetër me zbatu ligjin, do të duhej që ne të ishim vetë shembulli i parë se si zbatohet ligji që miratohet nga ky Kuvend. Është thirrja e fundit dhe, në qoftë se edhe kjo thirrje nuk respektohet, do të kërkoj nga Inspektorati që të vijë dhe të ndërmarrë veprimet në përputhje me përgjegjësitë”, tha ajo.