Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka dekretuar 9 majin 2027 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet lokale duhet të zhvillohen gjatë periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela ndërmjet 15 prillit dhe 15 majit.
Para marrjes së vendimit, Presidenti ka zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e subjekteve politike në Kuvendin e Shqipërisë dhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Ftesës për konsultim iu përgjigjën Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ndërkaq, subjektet e tjera politike nuk morën pjesë në këtë proces dhe nuk shprehën preferencë për datën e zgjedhjeve.
Gjatë konsultimeve, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi 9 majin 2027, duke argumentuar se kjo datë ofron më shumë kohë për përgatitjen dhe zbatimin e masave të nevojshme zgjedhore. Të njëjtën datë e preferoi edhe Partia Socialdemokrate.
Presidenti ka vlerësuar se 9 maji nuk krijon rezerva për favorizimin e ndonjërës prej palëve politike dhe as rrezik për ndikim në vullnetin e lirë të votuesve.
Në njoftimin e Presidencës, subjektet politike janë ftuar të marrin pjesë në zgjedhje me alternativa dhe kandidatë, si dhe të garantojnë një proces të drejtë dhe konkurrues.
Po ashtu, Presidenti u ka bërë thirrje partive që të respektojnë kuadrin ligjor, të sigurojnë barazinë mes subjekteve zgjedhore dhe të bashkëpunojnë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e një procesi në përputhje me standardet demokratike.