Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot seancën e dytë stërvitore, në kuadër të përgatitjeve për dy përballjet e ardhshme në Ligën e Kombeve kundër Izraelit dhe Irlandës.
Federata e Futbollit e Kosovës ka ndarë pamjet nga stërvitja e sotme, ku grupi i lojtarëve dukej i kompletuar, me përjashtim të mbrojtësit Lumbardh Dellova.
Në stërvitje ishin disa prej yjeve kryesore, siç është Edon Zhegrova, Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe futbollistë të tjerë.
“Atmosfera në kamp është shumë e mirë, teksa Betim Fazliji dhe Kreshnik Hajrizi janë shprehur të lumtur për rikthimin në Kombëtare dhe optimistë për arritjen e rezultateve pozitive në dy sfidat e ardhshme.”, thuhet në njoftimin e FFK-së.