Insajderi
Botë

Irani vendos shtatë kushte për negociatat me SHBA-në

Insajderi
24 November 2026 - 16:00
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Irani vendos shtatë kushte për negociatat me SHBA-në
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Irani nuk do të hyjë në negociata me Shtetet e Bashkuara derisa Uashingtoni të përmbushë shtatë kushtet e vendosura nga Teherani.

Kështu ka deklaruar kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, duke përsëritur qëndrimin e vendit të tij në raport me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.

Ghalibaf, i cili është një nga figurat kryesore të Iranit në procesin e negociatave, nuk i ka bërë publike të gjitha kërkesat, por ka paralajmëruar se Teherani nuk do të pranojë të negociojë pa u plotësuar kushtet paraprake.

Ndër kërkesat e Iranit përfshihen heqja e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, lehtësimi i sanksioneve ndaj eksportit të naftës, lirimi i aseteve financiare të ngrira dhe pagesa e dëmshpërblimeve për dëmet e shkaktuara nga lufta, raportojnë mediat.

Një tjetër kërkesë e Teheranit lidhet me ndërprerjen e armiqësive në të gjitha frontet rajonale. Irani kërkon gjithashtu që çështjet e sigurisë dhe të programit të tij bërthamor të trajtohen në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë.

Ghalibaf ka paralajmëruar se Irani mund ta zgjerojë shtrirjen gjeografike të konfliktit nëse kundërshtari ndërmerr veprime që Teherani i konsideron gabime.

Përplasjet mes dy vendeve kanë vazhduar edhe për shkak të mosmarrëveshjeve rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës. Uashingtoni kërkon rikthimin e lundrimit të lirë, ndërsa Teherani e lidh hapjen e plotë të ngushticës me përmbushjen e kërkesave të tij.

Dallimet mes palëve mbeten të mëdha edhe sa i përket programit bërthamor iranian. Administrata amerikane kërkon që kjo çështje të jetë pjesë e negociatave që në fazën fillestare, ndërsa Irani këmbëngul që fillimisht të zgjidhen çështjet e bllokadës dhe sanksioneve.

Deri më tani, përpjekjet për të arritur një marrëveshje nuk kanë prodhuar rezultat konkret, ndërsa ndërmjetësit rajonalë, përfshirë Katarin, kanë vazhduar përpjekjet për të rikthyer palët në tryezën e negociatave.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark