Insajderi
Lajme

Smira e Dardanisë: Nga Labirinti i famshëm te Nusja Dardane!

Insajderi
28 November 2026 - 19:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Smira e Dardanisë: Nga Labirinti i famshëm te Nusja Dardane!
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në Smirë të Vitisë, vendin që lidhet me zbulimin e Labirintit të famshëm Dardan, sot u shënua një tjetër ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore dhe historike: zbulimi i monumentit “Nusja Dardane”.

Në këtë tokë me rrënjë të thella historike, ku arkeologjia ka dëshmuar gjurmë të qytetërimit të lashtë dardan, Nusja Dardane vjen si një simbol i bukurisë, identitetit, traditës dhe krenarisë së trashëguar ndër breza.

Monumenti është realizuar nga Gitor Shpk dhe Fondacioni Prof. Fehmi Ramadani, si një investim në kulturë, trashëgimi dhe kujtesën historike, me synimin që Smira të pasurohet me një simbol të përhershëm që do t’u mbetet brezave.

Në ceremoninë e zbulimit morën pjesë përfaqësues institucionalë, personalitete dhe figura të njohura, ndër ta kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Bekim Azizi, kryetari i OVL-së së UÇK-së në Viti, Idriz Quni, anëtarë të Këshillit të Fshatit Smirë, Ramush Ahmetaj – komandant i Njësisë Speciale Elite të Dukagjinit në UÇK, si dhe Agon Hana, nip i Xheladin Hanës.

Vendosja e shtatores në rrethrrotullimin e Smirës, me përkrahjen unanime të Këshillit të Fshatit, shënon një vepër që synon të mos jetë vetëm monument artistik, por edhe një pikë referimi për këtë vend, për vizitorët dhe për brezat e ardhshëm.

Smira, e cila tashmë lidhet edhe me zbulime që kanë zgjuar interesim për historinë dardane, sot pasurohet me një simbol të ri, që e lidh të kaluarën me të tashmen dhe i jep historisë një formë të dukshme në zemër të fshatit.

Nga Labirinti Dardan te Nusja Dardane, Smira vazhdon të dëshmojë se historia nuk është vetëm ajo që ruhet në libra, por edhe ajo që ndërtohet, kujtohet dhe nderohet sot.

Për zbulimin e monumentit ka reaguar edhe gazetari Valon Syla, i cili e ka vlerësuar iniciativën si një ide origjinale që vjen nga Smira e Vitisë.

Në një postim në Facebook, Syla ka shkruar se shqiptarët janë mësuar të shohin buste të heronjve, por shumë rrallë iniciativa që përfaqësojnë kulturën dhe identitetin shqiptar.

“Një shtatore e ‘Nuses Dardane’ është freskia në fshatin piktoresk të Smirës, të cilën e sponsorizoi një biznes i suksesshëm i vendit, për komunitetin aty. Simpatike”, ka shkruar Syla.

Ai ka përgëzuar ideatorët, sponsorin dhe fshatin Smirë për realizimin e kësaj nisme.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark