
Kërkesën për zvogëlimin e kompensimit të veteranëve është duke e bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët thonë se Qeveria po përballet me presione të mëdha nga grupe të ndryshme, kur janë në pyetje këto paga.
Smajl Elezaj, kryetari i Veteranëve të UÇK-së ka thënë për Tribuna Channel, se pensionet nuk mund të ulen.
“Nuk mund të ulen pensionet përderisa ka kaluar ligji për veteranët në Kuvendin e Kosovës. Ajo nuk mund të ndodh. Qeveria nuk mund të bëjë ulje më shumë, sepse kështu është miratuar dhe nuk mund të bijnë nën shifrën minimale”, ka thënë, Smajl Elezaj, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së
Nga burime brenda Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë thënë se të mërkurën kjo Ministri ka pasur takime me FMN-në, ku ndër tjera është biseduar edhe për numrin e madh të veteranëve.
Sipas po këtyre burimeve, ky numër ka shkuar mbi 23 mijë aplikues për statusin e veteranit dhe invalidit të luftës, që është parë me shqetësim nga FMN-ja.
Në fillim nga listat që janë marrë nga shoqatat e veteranëve dhe invalidëve të luftës, numri i tyre ka qenë rreth 14 mijë veteranë, por ky numër është rritur vazhdimisht duke kaluar tashmë shifrën prej 23 mijë aplikuesish.
FMN dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë duke pritur listat përfundimtare nga komisioni qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve për të vendosur më tutje.
Ndërkaq Gazeta Fjala ka raportuar se FMN po kërkon nga Qeveria që pensionet e veteranëve të cilët aktualisht marrin 170 euro pension të zvogëlohen.
Sipas Ruud Vermeulen, kostoja vjetore e skemave të beneficioneve të lidhura me luftën vitin e ardhshëm mund të arrijë 100 milionë euro apo edhe më shumë, kundrejt 60 milionë euro që ishin ndarë në buxhetin e vitit 2016.
“Sipas mendimit tonë, 60-75 milionë euro janë më së shumti që mund të shpenzohen në vit për të gjitha skemat sociale të lidhura me luftën. Nuk ka hapësirë për më shumë në buxhet, meqë çdo euro i shpenzuar në këto beneficione është euro që nuk do të mund të shpenzohet në prioritete të tjera kritike, siç janë ndërtimi i shkollave dhe spitaleve, aftësimi i mësimdhënësve dhe mjekëve, apo ndërtimi i infrastrukturës kritike”, ka thënë shefi i FMN-së për Gazetën Fjala.
Ndërkaq, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në përgjigjet dhënë Gazetës Fjala thotë se ende nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga FMN lidhur me çështjen e skemës sociale.
“Ne nuk kemi marrë ndonjë kërkesë zyrtare nga FMN-ja lidhur me këtë çështje. Ajo lidhur me këto çështje ka folur në raportin i cili tashmë është publik. Ne kemi takime të përgjigthshmë me FMN-në”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Punës.