Mbyllja e kufijve për refugjatë po vret kafshët në Ballkan – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mbyllja e kufijve për refugjatë po vret kafshët në Ballkan

    Insajderi
    12 May 2016 - 19:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në vitin e kaluar, nëpër Ballkan u ngritën shumë shpejt mure me tela me gjemba. Në verë të vitit 2015, Hungaria filloi me mbylljen e kufirit të vet me Serbinë, që është i gjatë 175 kilometra; disa pjesë i mbylli me mur katër metra të gjatë, e disa tjera me tela concertina, telat famëkeq me gjemba.

    Më vonë, ky vend e zgjati mbylljen e kufirit përgjatë kufirit me Kroacinë dhe Slloveninë; sivjet Hungaria po e mbyll kufirin me Rumuninë. Rezultati u ndje menjëherë – fluksi i refugjatëve u lakua kah Kroacia dhe Sllovenia. Ndërkohë, telat me gjemba janë përdorur edhe në mes të këtyre dy shteteve.

    Ky kufi zgjatet nëpër një prej zonave më të vlefshme natyrore në Ballkan, gjegjësisht Gorski Kotar. Gorski Kotar është vendbanim i ujkut, ariut të kaftë dhe popullsisë së vogël të rrëqebullit dalmat, macës më të madhe dhe më të rrallë në Evropë. Por pavarësisht protestave lokale, dhe dëshpërimit të shkencëtarëve, ushtria sllovene vazhdon të shtrojë tela me gjemba.

    Gjuro Huber është biolog në Universitetin e Zagrebit që specializohet në popullsinë e arinjve të Kroacisë. “Në këtë moment i ndjekim katër arinj me qafore elektronike”, thotë ai. “E dimë se e kalojnë kufirin rregullisht. Tani zgjohen prej gjumit dimëror me befasinë e pakëndshme që habitati i tyre është ndarë në dy pjesë”.

    Fundi i rrëqebullit?

    Huber thotë se është shumë herët të vlerësohet ndikimi i telave me gjemba në kufirin kroato-slloven. “Nja dymbëdhjetë drerë u vranë, të ngatërruar në tela me gjemba; vdekje e tmerrshme”, thotë ai. “Arinjtë dhe ujqit sigurisht se do të vuajnë nga copëzimi i habitatit të tyre, për shkak të humbjes së ushqimit, strofkave dhe mundësive për çiftëzim. Por për rrëqebullin, situata është më dramatike, sepse ka numër shumë të kufizuar të individëve; rreth 20 në Slloveni dhe 40 në anën kroate.

    Në një popullsi kaq të vogël, rreziku i çiftëzimit me anëtar të familjes ose mosgjetjës së partnerit veç se është i madh, e tash po bëhet edhe më i madh. Kam frikë se copëzimi i habitatit të tyre do ta zhduk rrëqebullin në GOrski Kotar, ndoshta jo nesër, por në afat të gjatë”.

    Rrëqebulli nuk është e vetmja kafshë e rrezikuar nga kufijtë e ri. Biologët hungarez janë shumë të shqetësuar për nën-specien e urithit që e gjejmë vetëm në Vojvodinë, rajonin e kufirit në mes të Serbisë dhe Hungarisë. Muri që po ndërtohet aty është katër metra i gjatë, por zgjatet edhe dy metra nëntokë. Këtu përsëri, copëzimi i habitatit të tyre mund të jetë shenjë e fundit të species lokale të urithit.

    Për biologët si Huber, gjithë ata telam e gjemba janë të tmerrshëm. “Ishte pikërisht vazhdimësia që e bënte Gorski Kotar habitat kaq të rëndësishëm”, thotë ai. “Kemi punuar me vite për ta neutralizuar efektin e autostradës që zgjatet nëpër të duke krijuar ekokanale. Dhe tani po ndërtojnë çdo ditë mure me tela me gjemba, që do të na i bëjnë përpjekjet tona të kota’.

    Një koalicion i biologëve dhe grupeve të ambientit në Ballkan, Hungari dhe Greqi do të veprojnë kundër mureve të reja. Huber thotë se po përpilohet një ankesë zyrtare për Komisionin Evropian: “Kemi të drejtë. Direktiva e Habitateve kërkon që Shtetet Anëtare të BE të mbrojnë kafshë të caktuara të egra dhe të parandalojnë copëzimin. Por në klimën aktuale politike, nuk jam fare optimist”./Kosovo2.0

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark