Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, ka pritur sot në takim Zëvendësministrin e Bujqësisë dhe Administrimit të Ujërave në Qeverinë e Shqipërisë, Arben Pambuku, me tw cilin u diskutua bashkërendimi i aktiviteteve të të dyjave vendeve për menaxhimin e integruar të ujërave në zonat ndërkufitare.
Te dy palët shprehen gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin dhe për të ndihmuar njëra tjetrën në fushat e zhvillimit të legjislacionit, ngritjes institucionale, si dhe për aplikimin në projekte të përbashketa ndërkufitare, në mënyrë që të fuqizohet menaxhimi i integruar i burimeve ujore.
Ata u pajtuan që të përgatitin një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do të formalizoj bashkëpunimin që do të pasohet me marrëveshje të hollësishme teknike, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Mjedisit.
Zëvendësministri Shala po ashtu i informoi të pranishmit për zhvillimet aktuale në MMPH, procesin e formimit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, projektet aktuale për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë sektor. /Insajderi.com