
Janë bërë gati ftesat për martesën e princit shqiptar Leka II me këngëtaren Elia Zaharia.
Vet princi Leka II ka publikuar në Facebook momente nga përgatitja dhe shkrimi i emrave të mysafirëve që po realizohet nga artisti Avni Delvina.
“Dëshiroj të ndaj me ju disa fotografi të marra gjatë plotësimit të ftesave nga artisti i mirënjohur Z. Avni Delvina. Përveç punës së tij si piktor dhe grafist, këtë herë ai me mjeshtëri të veçantë po përkushtohet në kaligrafinë e emrave të ftuarve”, ka shkruar princi shqiptar.
Leka gjithashtu ka ndarë edhe një informatë të rëndësishme, duke treguar lidhjen që ka me familjen Delvina.
“Ajo që e bënë akoma më të veçante dhe simbolik këtë moment kaq të bukur të përgatitjeve, është historia që i lidh dy familjet tona. Në foton e dasmës se gjyshërve të mi, Mbretit dhe Mbretëreshës, është pikërisht paraardhësi i tij i nderuar, Z. Hiqmet Delvina, asokohe ministër drejtësie, para të cilit Çifti Mbretëror firmos aktin e martesës”, shkruan Leka II.
Martesa mbretërore do të bëhet më 8 tetor 2016 në Tiranë. /Insajderi.com