
Filharmonia e Kosovës mbrëmë solli dy herë brenda natës të njëjtin koncert. Ky ishte koncerti i fundvitit i cili si zakonisht edhe kësaj radhe mblodhi një numër të madh të shikuesve, por ky numër i cili tejkaloi pritshmërit e organizatorëve, bëri që koncerti të mbahet dy herë dhe të transmetohet live në RTK në mënyrë që të mbulohet kërkesa e të interesuarve për të parë koncertin, shkruan KultPlus.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, pas përfundimit të koncertit foli për KultPlus, ku tregoi se gjatë vitit kanë sjellë rreth 20 koncerte, me komplet 20 programe të ndryshme, krahas kësaj gjatë vitit kanë sjell shumë solistë e dirigjentë të ndryshëm nga bota. Përveç dirigjentëve që janë prezantuar për herë të parë dhe dirigjentët e njëjtë që i ftojnë për shkak të ndikimit pozitiv që bëjnë në orkestër.
Ai tutje tha se synimet e tyre janë në rritje e sipër por që varet nga mbështetja financiare e Ministrisë së Kulturës. Ai tha se do të përpiqen që t’i afrohen rajonit sa i përket kuantitetit, ndërsa vitin 2019 e cilëson si përgatitje për 20 vjetorin e Filharmonisë së Kosovës, në të cilin paralajmërojnë të sjellin emra të mëdhenj të muzikës tonë që kanë karrierë botërore, siç është Ramë Lahaj, Ermonela Jaho të cilët veç e kanë konfirmuar.
“Po të ishte bërë salla do të ishte mrekullia jonë më e madhe që 20-vjetorin ta shënojmë në një sallë që e meritojmë të gjithë”, tha për KultPlus Jashari.