Drake thotë se, një dekadë më parë miliarderi e ka prekur dhe puthur pa dëshirën e saj, e madje i ka ofruar dhe parà. Siç shpjegon ajo, Trumpin e ka njohur në vitin 2006. Ai e kishte ftuar në suitën e vet, ku Jessica shkoi e shoqëruar prej dy vajzave të tjera, sepse nuk ndihej rehat të qëndronte vetëm me manjatin.
“Ai na kapi fort gjithsecilës, na përqafoi e puthi pa lejen tonë. U larguam pas 30 apo 45 minutave, por më vonë mora një telefonatë nga një përfaqësues i Trumpit, që më ftoi të shkoja vetëm në dhomën e tij. Unë refuzova”, tha Jessica Drake.
Siç rrëfen më pas, zilja e telefonit i ka rënë përsëri e këtë herë ishte vet miliarderi, që i kërkoi të kthehej e të hante darkë me të, e kur përgjigjja e saj sërish ka qenë negative, Trump e ka pyetur: Çfarë do? Sa parà do?
Oferta që pasoi ishte shuma prej 10 mijë dollarësh dhe përdorimi i avionit të tij privat. Në konferencën për shtyp, përfaqësuesja e saj dhe dy grave të tjera që akuzojnë Trumpin për ngacmime seksuale, Gloria Allred tregoi edhe një fotografi të Drake me miliarderin.
Ndihmësit e Trumpit reaguan menjëherë duke i cilësuar pretendimet si krejtësisht të rreme e qesharake. Donald Trump ka bërë fotografi me mijëra njerëz në shenjë respekti për ta, thuhet në deklaratë. Ai, as e njeh këtë person, as e mban mend dhe as ka pasur ndonjëherë interes ta njohë nga afër.
Manjati është shprehur më herët se do t’i hedhë në gjyq akuzueset e tij, sapo të përfundojnë zgjedhjet.