Qeveria britanike: Gjykata e Lartë nuk e vonon Brexit-in - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Qeveria britanike: Gjykata e Lartë nuk e vonon Brexit-in

    Insajderi
    03 November 2016 - 21:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Plani i kryeministres britanike Theresa May për të nisur negociatat për “Brexit”-in në fund të marsit të ardhshëm, nuk do të pengohet nga vendimi i Gjykatës së Lartë, që vendosi se Parlamenti duhet të votojë për këtë çështje.

    Zëdhënësja e kryeministres konfirmoi se, qeveria do të apelojë vendimin e Gjykatës së Lartë dhe se nuk do të ketë asnjë vonesë në procesin e largimit nga BE-ja.

    Por vendimi i Gjykatës së Lartë, sipas të cilit Parlamenti britanik duhet të aprovojë aktivizimin e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, ka entuziazmuar deputetët që duan qëndrimin në union. Gjithashtu i ka shtuar shpresat qeverisë skoceze, që të ketë më shumë zë në lëvizjen për t’u larguar nga BE-ja.

    Por qeveria britanike u përpoq të zhvlerësojë rëndësinë e vendimit të gjykatës, duke ngulur këmbë se plani i “Brexit”-it është në rrugën e duhur.

    “Kryeministrja është e vendosur se qeveria do të respektojë vendimin e popullit britanik, duke nxjerrë vendin nga BE-ja. Jemi të vendosur të vazhdojmë planin dhe të ndjekim afatet e përcaktuara. Nuk kemi ndërmend, që të lejojmë këtë vendim të ndikojë tek afatet për aktivizimin e nenit 50”, shkruhet në një komunikatë të qeverisë britanike.

    Avokatët e qeverisë thonë se, shumica e popullit vendosi në favor të “Brexit” dhe nuk ka nevojë për miratimin e askujt tjetër. Ndërsa sipas Gjykatës së Lartë, qeveria britanike ka nevojë për miratimin e Parlamentit për të vazhduar më tej, njofton tch.

    Analistët thonë se, nëse pengimi i “Brexit” bëhet realitet, atëherë kryeministrja May mund të vendosë të shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe ta bëjë aktivizimin e nenit 50 një premtim fushate. Më pas do t’i duhet të marrë shumicën dhe të kthehet në Parlament për ta votuar atë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark