Avancimi i forcave irakiane drejt Mosulit nxitë shqetësimin për mizoritë e ISIS-it - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Avancimi i forcave irakiane drejt Mosulit nxitë shqetësimin për mizoritë e ISIS-it

    Insajderi
    05 November 2016 - 08:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Forcat irakiane janë shtyrë edhe më thellë në Lindje të Mosulit, qyteti verior i pushtuar prej dy vitesh nga militantët e Shtetit Islamik. Trupat e Bagdadit arritën të thyejnë mbrojtjen e ISIS-it, e hynë në lagjen “al-Zahra”, të cilën tani e kontrollojnë në masën 90%. Me xhihadistët po luftohet nëpër rrugë e rreziqet nuk mbarojnë aty.

    “Armiku është mposhtur, siç mund ta shihni, por trupat tona tani po pastrojnë zonën nga mjetet shpërthyese, apo pajisjet ushtarake që kanë lënë pas luftëtarët e Shtetit Islamik. Kemi shpërthyer mbi 9 autobomba e kemi pasur të bëjmë edhe me atentatorë vetëvrasës. Po e vazhdojmë avancimin tonë dhe, sapo të mbarojmë këtu, do të lëvizim në lagje të tjera”, tha gjeneral lejtnant Qassem Jassim Nazzal.

    Ndërkohë, OKB-ja shpreh shqetësim mbi dëshmitë e forta të mizorive të ISIS-it në Mosul dhe përreth tij. Me qindra vetë janë vrarë atje prej ekstremistëve, përfshirë 50 dezertorë e 180 ish-punonjës të qeverisë irakiane.

    Militantët kanë transportuar 1.600 civilë të rrëmbyer nga qyteza e Hammam al-Alil, në atë të Tal Afar, për t’i përdorur me shumë gjasë si mburoja njerëzore. Banorëve të Hammam al-Alil, ata iu kanë kërkuar të dorëzojnë fëmijët, sidomos djemtë e moshës mbi 9 vjeç.

    “Kanë përdorur altoparlantë ndërsa lëviznin me kamionë, e i kanë kërcënuar familjet me ndëshkim ekzemplar, nëse nuk pajtoheshin me urdhrin e tyre. Po i kërkojnë fëmijët, veçanërisht djemtë e mitur, si rekrutë”, tha Ravina Shamdasani, OKB.

    Më shumë se 20 mijë njerëz janë zhvendosur që nga fillimi i mësymjes, ditë më parë, dhe pritet që numri i tyre të shkojë deri në një milion.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark