Ligji i ri për Shtetësinë, vërtetë ka më shumë lehtësi, por kostot do të jenë shumë më të larta. Në përmbajtje të relacionit theksohet se tarifa aktuale nuk korrespondon me koston e shërbimit pork a dhe një të mirë pasi do të sjellë rritje të të ardhurave në buxhetin e shtetit.
Tarifa për aplikim propozohet të jetë në vlerën 300 euro, referuar edhe tarifave që zbatohen në nivel rajonal, si dhe do të miratohet me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Financave dhe Ministrit për Evropën. Të ardhurat që parashikon për buxhetin e shtetit, nëse kjo tarifë miratohet janë në vlerën 63 milion lekë.
Në vitin 2018 për shtetësi shqiptare aplikuan, 1 000 persona, nga të cilat 700 kanë aplikuar brenda vendit dhe 300 nga jashtë vendit. Deri më tani tarifa për procedurat dhe dokumentacionin për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare është në masën 5.000 lekë për personat që aplikojnë brenda vendit, dhe 30 euro për personat që aplikojnë pranë përfaqësive diplomatike. Për vitin 2018 të ardhurat për Buxhetin e Shtetit nga ky shërbim kapën vlerën e 4.760 mijë lekë.
Dhënia e shtetësisë shqiptare të huajve jepet nëse Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, kulturor apo kombëtar, shoqërohet me efekte ekonomike apo sociale pozitive, pasi motivon ushtrimin e veprimtarive me interes për Shqipërinë.
Ndërsa me ndryshimet e reja mund të përfitojnë dhe ata që mund të verifikojnë shtetësinë shqiptare edhe pse mund të jenë brez i tretë. Me shumë të ngjarje do të pritet një fluks kosovarësh pasi ata kanë dhe interes se me pasaportën shqiptare mund të udhëtojnë pa viza.