Mitrovica jugore i kërkon qeverisë të mos neglizhojë rrënimin e murit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mitrovica jugore i kërkon qeverisë të mos neglizhojë rrënimin e murit

    Insajderi
    30 December 2016 - 17:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyrtarët në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e jugut, kanë mirëpritur Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për rrënimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës që në janar të vitit 2017.

    Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha për Radion Evropa e Lirë se rezoluta e jep një mesazh të unifikuar politik, të cilin institucionet përkatëse duhet ta zbatojnë.

    “Edhe me datë 7 [dhjetor] dhe me datën 20, kur i kemi dërguar vendimet, janë marrë të gjitha masat para nxjerrjes së kësaj rezolute, sepse e kemi konstatuar që (muri) është antiligjor dhe për çështje antiligjore ne nuk bëjmë kompromise”.

    “Rezoluta natyrisht që e fuqizon [punën] në aspektin politik dhe jep një mesazh të qartë se ligjshmëria duhet të zbatohet në gjithë territorin e vendit”, tha Çitaku.

    Kuvendi i Kosovës, ka miratuar të enjten me shumicën prej 74 votave, Rezolutën e paraqitur nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për çështjen e murit të ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

    Deputetët e Kuvendit, nga të gjitha partitë, përveç Listës Serbe, kanë kërkuar përmes miratimit të Rezolutës, rrënimin e këtij muri.

    Çitaku theksoi se punimet aktuale përreth murit të ndërtuar në veri të Kosovës nga autoritet e komunës veriore të Mitrovicës, po monitorohen vazhdimisht nga ministria dhe zyrtarët tjerë kompetentë.

    “Është vërejtur se aty ka pasur disa punime. Sot e kemi bërë edhe raportin për qeverinë lidhur me këtë rast. Njëkohësisht i kemi njoftuar për masat të cilat janë në fuqi edhe autoritetet lokale të Komunës veriore të Mitrovicës”.

    “Vendimi i ministrisë i cili në bazë të proces verbalit të datës 7 dhjetor dhe i fuqizuar edhe me vendimin e datës 20 dhjetor që u ka shkuar autoriteteve lokale të Mitrovicës veriore e parasheh ndërprerjen e të gjitha punimeve dhe rrënimin e murit që nuk është me leje dhe konform ligjeve të Kosovës”, tha Çitaku.

    Sipas tij, muri është në kundërshtim edhe me marrëveshjen e Brukselit, të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për rivitalizimin e urës mbi Ibër.

    Ndërkohë, Faruk Mujka nënkryetar i Komunës së Mitrovicës jugore nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se punët rreth rrënimit të murit në veri po vonojnë. Sipas tij, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po vonon në zbatimin e vendimeve.

    “Ministria më 9 dhjetor ka ardhur në përfundim se ndërtimi i murit është ilegal dhe duhet të rrënohet. Pse ky vendim nuk është zbatuar deri tash, kjo lë shumë hapësirë për dyshime. Ne mendojmë se ata paraprakisht, sigurisht po tentojnë ta marrin edhe mendimin dhe ndoshta një lloj aprovimi nga Lista Serbe, por ma merr mendja që ajo nuk do të ndodh dhe këta detyrohen ta zbatojnë vendimin e Kuvendit të Kosovës”, tha Mujka.

    Ai beson se Rezoluta e miratuar nga Kuvendi e shtyn përpara procesin e rrënimit të murit ilegal në veri të Mitrovicës, njofton REL.

    Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, e ka cilësuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për murin në Mitrovicë si “vendim me karakter të pastër politik”.

    Mes tjerash në Rezolutën e miratuar nga kuvendi thuhet: “të rrënohet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, kjo të ndodh brenda muajit janar të vitit 2017”.

    Aty theksohet po ashtu se “Qeveria e Kosovës duhet të merr masa të nevojshme që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe e njëjta t’i përmbajë të gjitha elementet që kishte para vitit 1999 dhe jo t’i shtohen elemente tjera ilegale, siç është muri dhe shkallët”.

    Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës ka filluar të ndërtohet në fillim të këtij muaji, duke ngjallur reagimin edhe të qytetarëve edhe të politikës.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark