
Vetura e djegur sot në mëngjes afër banesë së Ismet Beqirit nuk është pronë e tij por e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Insajderin vetë deputeti Beqiri i cili beson se vetura është djegur me koktej molotovi.
‘’Sot në orët e para të mëngjesit kam marrë informatën nga fqinjët se është duke u djegur vetura. Ajo nuk ka qenë e imja, është pronë e LDK-së. Unë pashë një shishe me koktej molotovi dhe besoj se me të është djegë”, ka thënë Beqiri.
Këtë akt ai e ka cilësuar si kriminal dhe ka kërkuar nga organet e rendit që ta zbardhin rastin.
“Nuk kam problem me askënd andaj ky është një akt kriminal i cili po krijon shqetësim edhe tek qytetarët por edhe te zyrtarët. Shpresoj që organet e rendit të zbardhin jo vetëm këtë rast se nuk është i pari por besoj që kriminelët të vihen para drejtësisë, edhe pse kjo nuk është e vështirë”, theksoi Beqiri.
E për rastin në fjalë hetime intensive po kryen Policia e Kosovës. Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka thënë se nuk ka të arrestuar ani pse dyshimet ekzistojnë, raporton Insajderi.
“Të arrestuar nuk ka edhe pse normal që dyshimet ekzistojnë”, tha Kelani.
Megjithatë Kelani nuk ka dashur të komentojë se me çka është djegur vetura dhe nëse ky rast mund të lidhet me rastet e tjera që kanë ndodhur ditëve të fundit.
‘’Nuk jam këtu me i komentuar deklaratat e askujt po them se policia është duke e hetuar rastin’’, pohoi Kelani.
Kjo është vetura e tretë që digjet pas familjes së ministrit Memli Krasniqi, zëvendësministrit, Bajram Gecaj dhe është tentuar ti digjet, shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci./Insajderi.com