Ushtria pakistaneze ka thënë se ka kryer me sukses testet e raketave të reja tokë-tokë dhe të cilat kanë mundësi të bartin koka bërthamore deri në 2200 km.
Testet e 24 janarit janë të dytat për Pakistanin brenda një muaji, duke e shtyrë para garën me armë me Indinë. Më 10 janar, Pakistani e ka testuar edhe raketën e parë të lansuar nga një nëndetëse.
India, vitin e kaluar e ka testuar një sistem anti raketor që është i dizajnuar për të zbuluar raketa që mbajnë koka bërthamore.
Testet e fundit raketore reflektojnë ngritjen e tensioneve në mes të dy shteteve fqinje që kanë armë bërthamore.
Këto dy vende kanë luftuar tri herë ndërmjet veti prej pavarësimit nga Britania në vitin 1947.
Vitin e kaluar, zyrtarët e Pakistanit kanë shprehur shqetësime serioze rreth testimeve të sistemit anti-raketor të Indisë, shkruan REL.
Ministri i jashtëm pakistanez, Sartaj Aziz, i ka thënë Senatit të Pakistanit se kjo mund të çojë deri te prania e tepruar e armëve bërthamore në Oqeanin Indian.
Të dyja vendet kanë kryer teste të rregullta raketore balistike prej vitit 1998.