
Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, ka pasur një përplasje me njërin nga zyrtarët e sigurimit të Kuvendit të Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur kur sigurimi i Kuvendit ka kërkuar që ta kontrollojë atë.
Fillimisht, Selimi ka kundërshtuar kontrollimin me arsyetimin se është kontrolluar më herët ndërsa tensioni u shtua kur ai i kërkoi njërit zyrtar të sigurimit që prekjet në trupin e tij gjatë kontrollimit ta bëjë më ngadalë.
Kjo ka nxitur një përplasje verbale mes të dyve ndërsa në fund Selimi ka kërkuar me tone të ashpra që ai të kontrollohet nga një zyrtar tjetër i sigurimit.
Sigurimi i Kuvendit i është bindur kërkesës së tij dhe kanë ftuar një tjetër zyrtarë që ta kontrollojnë deputetin e Vetëvendosjes.
Selimi ka thënë se ka bërë një kundërshtim të një norme jonormale të të kontrolluarit.
Sipas tij, ai nuk ka kundërshtuar më herët kontrollimin, porse kësaj radhe është provokuar nga zyrtari i sigurimit.
“Mu duk personale, prandaj edhe reagova. Personi i cili ka provokuar patjetër se do të ballafaqohet në Inspektoratin e Policisë sepse sjellja e tij ishte jo korrekte,” ka thënë ai./Insajderi