
Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga Partia Demokratike e Kosovës, Kadri Veseli ka bërë hapin e parë drejt marrjes së pozitës të cilën Thaçi e ruajti për 16 vite.
Të mërkurën në mbrëmje, Këshilli Drejtues zgjodhi Kadri Veselin si ushtrues detyre të kryetarit të partisë pa asnjë votë kundër. Por, edhe pse është detyrë e përkohshme që Veseli do ta mbajë në parti, një pozitë e tillë nuk përmendet askund në statutin e partisë më të madhe në vend.
Basri Musmurati, Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, nuk pranon se partia e tij ka dalë përtej statutit për të bërë zgjedhjen e Veselit.
Sipas tij, PDK ka një rregullore të brendshme që e lejon një gjë të tillë. “Jo, çfarë [dalje] përtej statuti. Ne e kemi një rregullore tonën të brendshme, që ka dalë prej statutit, dhe që ja lejon atij këtë të drejtë,” ka qenë shpjegimi i tij.
Sipas tij, Këshilli Drejtues i partisë është organi më i lartë, dhe ai e ka bërë zgjedhjen e Veselit në këtë pozitë. Por, neni 11, pika 1 e këtij statuti thotë se të gjitha aktet nënligjorë në parti duhet të jenë në përputhje me këtë statut.
“Akti më i lartë brenda PDK është Statuti i saj. Të gjitha aktet tjera duhet të jenë në përputhje me Statutin” thotë ky nen. Musmurati ka kërkuar nga redaksia e Insajderit që të mos humb kohë me trajtimin e kësaj çështje, dhe ka thënë se zgjedhja e Veselit në këtë post është bërë vetëm për një kohë të shkurtër.
Zgjedhja e Veselit në krye të PDK-së vjen pas dorëheqjes se Thaçit nga kjo detyrë. Thaçi u zgjodh president i vendit më 26 shkurt, dhe kushtetuta e Kosovës nuk ia lejon atij mbajtjen e një detyrë në një parti politike./Insajderi